Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, kthejmë sytë drejt një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore, duke kujtuar me nderim viktimat e pafajshme dhe duke vlerësuar aktet e guximshme të atyre që zgjodhën humanizmin përballë errësirës. Në këtë ditë reflektimi, nderojmë ndër të tjera edhe popullin shqiptar, i cili, i udhëhequr nga tradita e lashtë e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtoi duke i hapurt dyert e shtëpisë qindra hebrenj nga përndjekja e pashpirt gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Heroizmi i shqiptarëve, një shembull i rrallë i solidaritetit dhe humanizmit, do të përjetësohet së shpejti në muzeun “Besa”, i cili do të ngrihet në zemër të Tiranës. Ky muze do të jetë më shumë sesa një hapësirë kujtese; do të jetë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një homazh për guximin dhe fisnikërinë, një vend ku tradita e paqes, tolerancës dhe respektit për jetën njerëzore do të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, kemi nisur ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, që do të hedhë dritë mbi traditat e solidaritetit dhe humanizmit të rrënjosura thellë te shqiptarët, duke paraqitur lidhjen e jashtëzakonshme midis shqiptarëve dhe komunitetit hebre këtu dhe nëpër botë.
Shqipëria, përmes këtyre muzeve, do të flasë me zërin e saj të veçantë për botën, duke dëshmuar se drita e humanizmit mund të triumfojë falë vlerave shpirtërore edhe në errësirat më të thella të historisë.