Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Silvio Gonzato,
Të nderuar miq dhe kolegë,

Dita e sotme është një ditë e shënuar për kulturën dhe artin shqiptar.

Ky Teatër është një institucion i dashur për brezat që janë rritur dhe kanë kujtime të paharruara nga fëmijëria.

Godina, e cila restaurohet pas 100 vjetësh, ka luajtur një rol në historinë e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Fillimisht si Klubi i Parë i Oficërëve, më pas si godina e Parlamentit, dhe që prej vitit 1960 si Teatër, ka kontribuar në formimin e identitetit kulturor të qytetit tonë.

Ajo që më gëzon më shumë është fakti se ky Teatër bëhet pjesë e një rrezeje iluminuese, ku kemi rijetëzuar, rindërtuar ose po ndërtojmë disa pole të rëndësishme kulturore, mes të cilave mund të përmend:

  • Muzeu Kombëtar, një prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë, që po merr një pamje të re, duke ruajtur dhe nxjerrë në pah historinë tonë të pasur. Mozaiku qendror në fasadë është një dëshmi e punës së shkëlqyer të realizuar në kuadër të programit EU4Culture, mbështetur nga Bashkimi Evropian, një program që ka shpëtuar dhe rigjallëruar shumë monumente të rëndësishme, përfshirë muze, kisha, xhami dhe godina historike.
  • Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, që po transformohet për t’u bërë një hapësirë bashkëkohore ku arti mund të shkëlqejë dhe të lidhet me audienca të reja, përmes ekspozitave që do të shfaqin jo vetëm thesaret e artit kombëtar, por edhe krijimet më të mira ndërkombëtare.
  • Teatri Kombëtar, që po rindërtohet nga themelet për t’u transformuar në një prej skenave më moderne dhe dinjitoze në rajon, duke ofruar hapësira të përshtatshme për shfaqje të nivelit të lartë dhe duke ruajtur njëkohësisht traditën e tij të gjatë artistike.
  • Muzeu Besa, i vendosur në ish-banesën e Toptanasve/Libohovitëve, një projekt madhështor që synon të bëhet qendër për promovimin e vlerave kombëtare dhe të shpirtit shqiptar, duke vënë në qendër besën shqiptare, si simbol të identitetit tonë.
  • Teatri i Operës dhe Baletit, tashmë i rikonstruktuar plotësisht, është kthyer në një skenë të re për kalendarin kulturor kombëtar dhe ndërkombëtar, duke mirëpritur produksione të larmishme artistike.
  • Piramida, një simbol i transformuar nga e kaluara në një qendër të re të inovacionit, teknologjisë dhe kulturës, e dedikuar rinisë dhe ideve krijuese.
  • Qendra e re Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, që do t’a inaugurojmë së shpejti, pranë Parkut të Madh të Liqenit Artificial, një tjetër hapësirë moderne dhe dinamike, dedikuar fëmijëve dhe të rinjve. Një qendër që do të shërbejë si një skenë e re ku arti, kultura dhe edukimi bashkohen për të krijuar mundësi të shumta për zhvillim dhe krijimtari, ku fëmijët dhe të rinjtë do të kenë akses në programe artistike, aktivitete edukative dhe eksperienca që do të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të tyre krijuese dhe sociale. Nga teatrot dhe ekspozitat, te muzika dhe punëtoritë artistike, Qendra do të jetë një laborator ku formohen brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve të angazhuar. Projekti përfaqëson më së miri vizionin tonë për zhvillimin e rrjetit të qendrave kulturore në të gjithë Shqipërinë, si një simbol i përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme ku fëmijët tanë rriten me kulturë, vlera dhe frymëzim.

E gjithë kjo përpjekje dhe punë e përbashkët synon më shumë sesa thjesht rigjallërimin e disa godinave apo institucioneve kulturore. Këto investime janë një deklaratë për të ardhmen e Shqipërisë, një vizion që e vendos kulturën dhe artin në qendër të identitetit tonë kombëtar dhe zhvillimit shoqëror.

Arti dhe kultura nuk janë luks, por themeli i një shoqërie të emancipuar dhe të qëndrueshme. Përmes këtyre hapësirave, ne jo vetëm që ruajmë dhe përcjellim trashëgiminë tonë, por krijojmë gjithashtu hapësira për dialog, krijimtari dhe përfshirje.

Duke u ndalur te Teatri i Kukullave, është bërë një punë vërtet e madhe për ta rikthyer atë në origjinën e tij, pas një degradimi të pandërprerë shumëvjeçar që kulmoi me goditjen finale të tërmetit të vitit 2019.

Jemi munduar ta modernizojmë dhe sjellë këtë teatër në shekullin XXI, por duke ruajtur të gjithë elementët e tij autentikë që nga vitet 1920-1930, duke nisur nga fasada, restaurimin e elementeve të brendshme, rikonstruksionin e çatisë, skenën moderne, sistemin e ngrohjes, ndriçimin dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi ndryshe.

E gjithë kjo bën që, më në fund, të kemi një Teatër modern, të gatshëm të shndërrohet në një pol të jashtëzakonshëm atraktiv për jetën kulturore të Tiranës, të denjë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Ky Teatër nuk është thjesht një ndërtesë e re; është një investim në imagjinatën, krijimtarinë dhe edukimin kulturor të fëmijëve, të të rinjve dhe qytetarëve tanë.

Një skenë e re për artin fëmijëror nuk është vetëm një vend për shfaqje; është një hapësirë ku zhvillohen ëndrrat, ku nxitet fantazia dhe ku ndërtohen vlerat përmes fuqisë së tregimeve dhe artit. Ky Teatër do të jetë një derë e hapur drejt botës magjike të artit, ku brezat më të vegjël mund të ndihen të mirëpritur dhe të frymëzuar.

Përtej kësaj, ai i shton kryeqytetit një skenë të re kulturore, një shtëpi të gjallë për artistët dhe komunitetin, duke e plotësuar dhe pasuruar jetën kulturore të Tiranës.

Pse jo, vogëlushat spektatorë të këtij teatri do të jenë nesër jo vetëm qytetarë më të mirë por edhe politikanë më të mirë, duke i kthyer borxhin edhe Parlamentit që dikur u mblodh këtu, që të nderohet edhe kujtesa jonë historike!

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Delegacionin e Bashkimit Evropian, UNOPS dhe programin EU4Culture për mbështetjen e jashtëzakonshme për artin dhe trashëgiminë kulturore.

Gjithashtu, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, përmes paketës së investimeve në fushën e kulturës që mbart buxheti 2025, do të jemi në gjendje të bëjmë edhe më shumë, edhe më shpejt dhe edhe më mirë, duke sjellë zhvillim përmes artit dhe kulturës.

Një Shqipëri që investon në art dhe kulturë është një Shqipëri që investon në vetveten – në edukimin e brezave të rinj, në zhvillimin e ekonomisë kreative dhe në fuqizimin e imazhit të saj ndërkombëtar. Është një vend që ndërton ura mes të kaluarës dhe të ardhmes, mes traditës dhe inovacionit, mes qytetarëve dhe botës.

Edukimi është kulturë, sëbashku janë mbrojtje, siguri, shpresë, paqe, ekonomi, zhvillim dhe cilësi jete!

Ta gëzojnë sot fëmijët dhe të rinjtë Teatrin e ri,

ta gëzojë kushdo që ndihet ende i ri në shpirt!

Faleminderit!