Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

I nderuar Kryeministër,
I nderuar Z. Gilpin, CEO i Catalyst
Të nderuar pjesëmarrës dhe dashamirës të kinematografisë,

Jemi këtu sot së bashku në mbështetje të një prej projekteve më ambicioze dhe shpresëdhënëse të habitatit tonë artistik, dhe posaçërisht për të ardhmen e kinematografisë sonë.

Është e qartë se për ne, që jemi populli më pro-amerikan në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye për t’u admiruar. Mënyra e jetesës, liria, ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë në botë, por mbi të gjitha, ajo botë ku përzihen fantazia, krijimtaria dhe fuqia e pafundme e ëndrrës dhe e ndryshimit që prodhon planeti Hollywood.

Përmasat e bashkëpunimit që nisim sot, na inkurajojnë se “Tirana Training Center” do të shndërrohet shumë shpejt në katalizatorin e një revolucioni epokal dhe transformimi të shumënevojshëm për industrinë kreative në Shqipëri.

 

Sot, përpjekjet shumëvjeçare për rigjenerimin e këtij sektori harmonizohen natyrshëm me zhvillimet moderne dhe nevojat e tregut, edukimin e hershëm, aftësimin e punësimin.

Hapja e një Qendre Trajnuese Kreative, nga Catalyst, nën mbikëqyrjen e emrave të famshëm, që kanë në kartvizitat e tyre stemat e HBO, WarnerBros, Paramount, Disney, Netflix dhe të tjerë, në hapësirën e ngritur me bekimin dhe kërkesën e vetë Stalinit, 70 vjet më parë, në Tiranën dikur të padepërtueshme nga shfaqjet e huaja, është një skenar i denjë për një film, që rrëfen sesi një boshllëk shndërrohet në oazin e lirisë, krijimtarisë dhe fuqisë së artit dhe talentit.

 

Së pari, stimulojmë krijimin e një dege të re të arsimit profesional, që lidhet drejtpërdrejt me fushën e filmit dhe ekranit, përfshirë të gjitha komponentët e saj. Ky do të jetë një investim i vyer në edukimin dhe formimin e brezave të rinj që do të kontribuojnë në këtë industri sfiduese e konkurruese që duhet të ecë me hapat e kohës.

 

Së dyti, krijojmë një instrument të drejtpërdrejtë që do të ndërlidhë tregun me profesionistët dhe entuziastët e fushës, duke ofruar mundësi të reja bashkëpunimi, shkëmbimi dhe zhvillimi të projekteve të përbashkëta rajonale e më gjerë.

 

Së treti, ndihmojmë në ndërtimin e një ekosistemi të fortë prodhues dhe mbështetës, ku secili që ka dëshirë dhe pasion mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme dhe inovative.

 

Dhe së katërti, ky projekt ka potencialin të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, sociale dhe kulturore, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të hartës mesdhetare të industrisë kreative dhe prodhuese. Kjo do të kontribuonte në rritjen e profilit ndërkombëtar të vendit dhe do të ofronte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe profesional të vendit tonë.

Në këtë epiqendër të re kulturore të Tiranës, do të mund të trajnohen në të njëjtën kohë 400 studentë, duke filluar nga fëmijët e deri te më të rriturit, në klasa për aktrim, regji, animacion, kinematografi, muzikë, prodhim, skenaristë, etj.

Gjithashtu, me hapjen e kësaj Qendre hedhim bazat për një tërësi eventesh që do të pasurojnë kalendarin tonë artistik vjetor, duke nisur nga mini-festivalet rajonale të filmit dhe kinematografisë, e deri tek “Fam Tour”, evente që do të ftojnë studiot më të mëdha amerikane për të eksploruar peizazhet unike e mundësi sheshxhirimesh apo investimi në Shqipëri.

Industritë kreative gjenerojnë rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE, mbi 8 milionë vende pune, duke qenë ndër sektorët më të mirëpaguar dhe më inovativ të ekonomisë europiane.

Filmi “Lord of the Rings” përllogaritet se ka gjeneruar deri në 600 milionë USD në vit në kohën e pikut të tij për Zelandën e Re, në formë turizmi.

“Game of Thrones” ishte gjithashtu një reklamë e shkëlqyer për fqinjin tonë, Kroacinë, si dhe për vende të tjera si Irlanda e Veriut dhe Islanda, ku pati me dhjetra milionë euro në vit përfitime në zona, shumë prej të cilave të panjohura deri më parë, falë popullaritetit të serialit dhe turizmit të bujshëm.

Ne kemi bindjen që i kemi të gjitha shanset, falë këtij partneriteti të ri që nisim duke trokitur në dyert e Hollivudit, që këtë histori ta përsërisim suksesshëm edhe në Shqipëri.

MEKI është e vendosur që të mbështesë me çdo formë të mundshme këtë model të ri të së ardhmes së industrisë së kinematografisë shqiptare, që duhet të jetë një sektor i orientuar nga prodhimi, fitimi, inovacioni dhe risia, e jo më një sektor që mbijeton i mbështetur vetëm nga shteti.

Faleminderit!