Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të nderuar….

Dita Ndërkombëtare e Themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është një ditë që na rikujton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcën e unitetit dhe solidaritetit global.

Eshtë gjithashtu një ditë për të qenë edhe një herë më shumë përkrah një aleati të çmuar dhe të pazëvendësueshëm, pasi jo vetëm OKB, por të 19 agjensitë e saj në Shqipëri kanë dhënë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm për transformimin e vendit.

UN Women, me kontributin e saj për fuqizimin e grave shqiptare. UNICEF, me mbështetjen mbi 30-vjeçare për fëmijët.

UNESCO, aleati ynë për shndërrimin e trashëgimisë kulturore në një motor të zhvillimit dhe ekonomisë.

FAO, me objektivin e saj për të çrrënjosur kequshqyerjen dhe varfërinë.

WHO, rrezja e shpresës gjatë periudhës jashtëzakonisht të errët të Covid-19. ILO, IOM, UNDP, e të gjithë të tjerat pa përjashtim.

 

Kjo është një ditë për të festuar gjithashtu arritjet tuaja kolektive, që janë arritjet tona të përbashkëta në drejtim të shtetndërtimit dhe ndërtimit të atyre standarteve që qytetarët shqiptarë meritojnë.

Bota në të cilën jetojmë, bota e post-pandemisë është një botë që nuk ka asgjë të përbashkët me atë para saj.

Lufta Imperialiste e Rusisë në Ukrainë, konflikti i pambarimtë në Lindjen e Mesme, vatra e luftërave civile në Afrikë, Azi, Amerikën e Jugut, e shumë sfida të tjera si ngrohja globale, thellimi i pabarazisë, kriza e migracionit të jashtëligjshëm, etj, kanë ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe efikasitetin OKB-së.

Pa dyshim, pa dashur të përsëris fjalët e Ministrit të Punëve të Jashtme, si çdo organizëm tjetër i shpikur dhe drejtuar nga njeriu, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk është perfekte.

Fundja, siç ka thënë edhe një ndër Sekretarët e Parë të Përgjithshëm, Dag Hammarskjold: “OKB nuk u krijua për të çuar njerëzimin në parajsë, por për ta shpëtuar atë nga ferri!”.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të muajit shtator, Kryeministri Rama në Nju Jork mbështeti pa hezitim propozimin për një rithemelim të OKB-së.

Por, deri atëherë, OKB është dhe mbetet një organizëm i pazvëndësueshëm, e vetmja platformë e mirëfilltë debati në rang ndërkombëtar.
Edhe një here më shumë, në këtë ditë që feston 79-vjetorin e themelimit të OKB, dua të theksoj se Shqipëria e merr shumë seriozisht rolin e saj global.

Ashtu siç theksoi edhe zoti Hasani, dy-vjeçari i Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kontributi aktual në Komisionin e të Drejtave të Njeriut apo më herët presidenca jonë e OSBE-së kanë ndikuar direkt për të forcuar paqen, stabilitetin, progresin dhe mirëqënien në botë.

Duke parë nga e ardhmja, ne jemi të vetëdijshëm që vetëm 6 vjet mbeten nga realizimi i të gjithë objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030.

Detyra jonë parësore si Ministri e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është që të bëjmë realitet këto angazhime brenda kufinjve tanë.

Për fat të mire kemi aktualisht një kornizë të qartë bashkëpunimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm Shqipëri-OKB 2022-26. Kemi të qartë cilat janë hapat tanë të mëtejshëm.

Në këtë drejtim, disa nga objektivat tonë më të rëndësishëm janë:

Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe përfshirja sociale, ku do të ketë një rritje dhe investim më të barabartë në njerëz, duke hequr pengesat dhe krijuar mundësi për ata që janë në rrezik të përjashtimit.

Rritje ekonomike të qëndrueshme dhe menaxhimi i burimeve.

Në vizionin tonë, zgjidhjet inovative dhe të integruara do të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, duke përmirësuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe blu.

Qeverisje efektive, e orientuar nga njerëzit, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore.

Qeverisja duhet të jetë gjithmonë e më transparente dhe e përgjegjshme, duke i mundësuar njerëzve të gëzojnë shërbime cilësore dhe përfshirëse, të forcojnë sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të drejtat e njeriut.

Respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut. Qeveria shqiptare do të vazhdojë impenjimin e saj në forcimin e barazisë gjinore, luftën kundër diskriminimit, promovimin dhe fuqizimin e grave dhe të drejtave të njeriut, si dhe do të reduktimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Së bashku me të gjithë agjensitë tuaja, jemi të vendosur që të punojmë për të përmbushur objektiva si: uljen e varfërisë, arsimin cilësor, punësimin dhe rritjen ekonomike, konsum dhe prodhimin e përgjegjshëm.

Apo zhvillimin e qyteteve dhe komuniteteve, veprimtaritë aktive në favor të ndryshimeve klimatike, përfshirjen e industrise kreative dhe atyre inovative në zhvillimin ekonomik social dhe kulturor etj.

I vetëdijshëm që të kesh fjalimin e fundit të mbrëmjes sjell një përgjegjësi të shtuar për të mos u zgjatur përtej një limiti të arsyeshëm, më lejoni të përfundoj duke vendosur në pah një fakt.

Piramida e Tiranës u ngrit për të qenë një monument përjetësie i ish-diktatorit.

Më pas u la të degradojë deri në pikën ku u trasnformua në një kufomë të zhveshur në mes të qytetit.

Por, sot, pas një prej projekteve më të ambiciozë të zbatuar ndonjëherë për Rilindjen e një objekti, Piramida është shndërruar në qendrën më të madhe të inovacionit në Rajon.

Prandaj, jam vërtet i lumtur që ky takim ndodh sot në këtë hub, i cili me vetë prezencën e tij është një simbol i një vizioni që ne jemi të vendosur të shndërrojmë në realitet.

Por, që është ama një vizion, një ide, një koncept e gjithashtu një finish ku duam të arrijmë së bashku me të gjithë partnerët tanë, OKB në radhë të parë.

Së bashku, nuk kam dyshim, ia dalim!

Faleminderit