Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Java Kulturore Amerikane, në vendin që më shumë nga kushdo tjetër në botë dashuron gjithçka që ka të bëjë me Amerikën, është një eveniment i rëndësishëm i kalendarit tonë kulturor.

Është gjithashtu një pikëtakim i rëndësishëm, që na lejon ta shohim SHBA-të ashtu siç është, tërheqëse, magjepse, inovatore, e projektuar drejt së ardhmes, në 360 gradë, përfshi në mënyrën se si ajo sheh botën dhe veten e saj.

Këtë herë, ky takim ka brenda edhe dy data të tjera të rëndesishme, pasi përpos Javës Kulturore Amerikane festojmë edhe 15-vjetorin e një instrumenti të jashtëzakonshëm zhvillimi, si AADF, por edhe 20-vjetorin e Këndit Amerikan në vendin tonë.

Kanë qenë në fakt 4 ditë të ngjeshura me “pilula” amerikane për të gjithë.

Nga hapja, që qëllimisht u vendos në sfondin e një prej hapësirave emblemë të transformimit urban në qytet, një projekt i dizenjuar nga AADF, i referohem këtu atij të Pazarit të Ri.

Tek shfaqjet muzikore.

Tek ajo që mbase më mirë se çdo gjë tjetër rok shpirtin e të qënit amerikan, hapësira dedikuar hulumtimit të hapësirës dhe astronomisë.

E besoj ky është një aspekt që për këdo që e sheh SHBA-të nga jashtë, është kartvizita më e mirë që shpalos shpirtin amerikan, si një shpirt që natyrshëm kërkon inovacionin, ekselencën dhe që kërkon të bëjë në mënyrë konstante të pamundurën të mundur.

Tek Nurizmi i Nur Bchares, aftësia e saj për të ricikluar xhinset dhe veshjet e vjetra në kulte të ripërpunuara të modës, e deri tek ky takim i sotëm në Sheshin Nënë Tereza.

Ka qenë ditë vërtet të ngjeshura, ku mijëra qytetarë kanë mundur të admirojnë këto ngjarje të jashtëzakonshme kulturore.

Ndaj, jam vërtet i lumtur të ndodhem këtu, për të dhënë një mesazh se ne kemi nevojë dhe dëshirojmë të kemi edhe më shumë Shtete të Bashkuara midis nesh.

Është fakt se në pak më shumë se 30 vjet demokraci shqipare, Amerika është bërë shtëpi e ëndrrave të disa qindra mijëra shqiptarëve.

Ajo për të cilën më vjen mirë është se gjithmonë e më shumë, Shqipëria po bëhet një vend mundësish për gjithmonë e më shumë amerikanë.

Dua të nënvizoj një fakt, të dhënët e publikuara nga INSTAT për tregtinë e jashtme në muajin shtator.

Eksportet tona në shtator në SHBA, janë rritur nga 3 milionë USD të një viti më parë në 30 milionë USD.

Ky 10-fishim është pasqyrë e një marrëdhënie që nis nga kultura dhe ajo që kemi të përbashkët, por që për fat të mirë po zgjerohet edhe në ekonomi dhe në çdo sektor tjetër.

Vit pas viti kemi më shumë kompani amerikane në Shqipëri, aktualisht pothuajse 400 të shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit tonë, si dhe në të gjithë territorin e vendit.

Dy rekorde të tjera “pan-amerikane” të vendosura në 2024-n janë ai për stokun e investimeve të huaja, si dhe ai i numrit të turistëve amerikanë, që vijon të rritet vit pas viti.

Mund të flas shumë më gjatë për marrëdhëniet tona të shkëlqyera, për vizitën e Sekretarit Blinken, për bashkëpunimin në kauzat ndërkombëtare, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Amerika për demokratizimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, etj.

E ky është një kontribut që tashmë kalon 100 vjet, që prej vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike në vitin 1922.

Për të mos u zgjatur më shumë, dua të nënvizoj se në modelin ekonomik që kemi zgjedhur të ndjekim në Shqipëri, kultura, arti dhe gjithçka ajo përcjell nuk shihen më vetëm në funksion të argëtimit.

Kjo është e vërtetë edhe sa i përket formatit të jashtëzakonshëm të Javëve Kulturore në Shqipëri.

Dëshira ime dhe e të gjithë qytetarëve është që gjithmonë e më shumë, edicion pas edicioni, këto ditë të shndërrohet në një mjet për të sjellë në vendin më pro-amerikan të botës sa më shumë Amerikë.