Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Bienalja e Oltsen Gripshit në Durrës 2024

“Bienalja e Tiranës është realizuar me rreth 30.000 dollarë dhe synon kthimin e kryeqytetit, në një qëndër të rëndësishme të kulturës. Vetë Shqipëria do të ketë një pjesmarrje të gjërë, ku do të dominojnë artistët që janë kryesisht jashtë vendit. Kjo Bienale do të jetë një grumbullim i vërtetë i kulturave dhe qëndrimeve nga çdo qëndër dhe periferi”.

Ky është një tekst i publikuar në fakt shumë kohë përpara, në 11 korrik 2001, atëherë kur gjatë mandatit të parë të Edi Ramës si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, për herë të parë në Shqipëri mbërriti formati i Bienaleve.

Kam pasur fatin të jem direkt i përfshirë në atë organizim të jashtëzakonshëm për kohën, një Bienale që zgjati 2 muaj, nga shtatori në nëntor dhe ku u shfaqën veprat e përzgjedhura me shumë skrupolozitet mes 1.500 artistëve.

E nisa me këtë retrospektivë për dy arsye.

E para, për t’i bërë jehonë faktit se sot, ashtu si dje, një Bienale ndërkombëtare mbetet gjithmonë një organizim i jashtëzakonshëm dhe në gjendje për të kthyer të gjithë sfondin ky vendoset, pra qytetin, në një panteon të madh të artit në qiell të hapur.
E dyta, për të nënvizuar gjithë këtë sipërmarrje të madhe dhe të suksesshme të Oltsenit.

Dr. Oltsen Gripshi, artist, eseist, estet, kurator, historian, kritik dhe pedagog, në këtë edicion të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëhohor të Durrësit ka bërë bashkë 17 pavijone dhe mbi 40 artistë nga e gjithë bota.

Kjo do të ishte hapja e artikullit. Por, ka edhe një artikull tjetër për të shkruar.

Ajo e Oltsenit tjetër, djalit të thjeshtë peqinas, që gjeti famë përtej vendit të tij, fillimisht në Itali, e pastaj Francë, Gjermani e më gjerë, e që rikthehet për të kontribuar për Shqipërinë.

Është një histori fatmirësisht jo e vetme, por që gjithmonë ia vlen të theksosh, sa herë që bashkëatdhetarët tanë të diasporës kthehen për të shlyer, në thonjza, borxhin moral ndaj tokës së tyre.

Si Ministri, kemi folur shpesh mbi rëndësinë e inovacionit, modernizimit dhe inteligjencën artifiale. Por, besoj se kjo është hera e parë që inteligjenca artificiale i përcillet publikut nëpërmjet artit.

Ky edicion i parë i kësaj Bienale ndërtohet mbi vetëdijen e jetesës në një botë virtuale, me një teknologji gjithmonë e më të përparuar, ku artisti është më shumë se kurrë më parë një pararojë e reflektimit të sistemeve politike, e ngrehinës sociale, trashëgimisë kulturore apo përparimit ekonomik të shoqërive tona.

Por, ngrihet gjithashtu mbi identitetin e një qyteti me një histori 3-mijë vjeçare, që në cilësinë e Portës së përhershme Hyrëse të Shqipërisë gjithmonë ka përqafuar krahëhapur ndryshimin, të renë dhe tashmë, edhe shumëngjyrësinë e larminë e pavijoneve ndërkombëtare.

MEKI, duke njohur potencialin turistik, vlerën e shtuar për qytetin dhe qytetarët durrsakë, si dhe mundësinë e konsolidimit së një brandi të ri unik, e ka mbështetur Bienalen dhe Oltsenin pa hezitim, duke e bërë pjesë të një portofoli prej më shumë se 2.300 eventesh të mbështetura nga MEKI gjatë 2024.

Ne jemi të udhëhequr nga një vizion në të cilin arti është i vendosur jo vetëm në funksion të argëtimit, por edhe në funksion të turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

 

Prandaj, 2.300 është një mbështetje rekord për artin dhe kulturën, por që në realitetin e një vendi turistik me 15 milionë vizitorë në vit, është gjithashtu një mbështetje për turizmin, ekonominë, punësimin, inovacionin, etj.

Lajmi i mirë që dua të ndaj me ju është se në 2025-n po përgatitemi të mbështesim një kalendar edhe më të gjerë aktivitetesh artistike dhe kulturore.

Do të mbështesim më shumë festivale, më shumë ekspozita, më shumë shfaqje, më shumë organizime të ngjashme, por do të mbështesim edhe më shumë artistë, veçanërisht artistë të rinj.

Kemi ngritur shumë mekanizma në mbështetje të artistëve, më i rëndësishme prej të cilëve është Programi Kombëtar i Granteve për Kulturën dhe Krijmtarinë.

Grantet e këtij programi do të mbështesin letërsinë, muzikën, kinematografinë, artet performuese, teatrin, artet pamore, trashëgiminë, artizanatin dhe inovacionin.

Të tjerë grante mbështesin zhvillimin profesional, mobilitetin, përfaqësimin tonë në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, aktivitete kulturore për fëmijë, si dhe formate të reja shumë të rëndësishme, si Ditët Kulturore Shqiptare 2025.

Ky është një program që frymëzohet nga suksesi i Javëve Kulturore të organizuara në partneritet me Ambasadat dhe partnerët tanë në Shqipëri.

Por, që do të na bëjë bashkë të gjithëve, ne dhe gjithë shqiptarët e tjerë nëpër botë, duke përcjellë absolutisht më të mirën që Shqipëria ka për të ofruar.

Mund të flas shumë më gjatë për të gjithë skemat dhe mekanizmat e ngritura nga MEKI, por pa e kthyer këtë panteon të artit në një sfilatë të Ministrisë, dëshiroj të përfundoj fjalën time me dy falenderime.

Dua të falenderoj përzemërsisht Oltsenin, për organizimin e kësaj Bienale, por edhe artistët që kanë ardhur nga SHBA, vendet Skandinave, Kina, Argjentina, Peruja, Turqia, Tajvani, etj.

Falenderimi i dytë është për të gjithë ata që kanë aplikuar për pjesëmarrje në një tjetër Bienale, atë të Arkitekturës në Venecia 2025.

Ka qenë një proces historik, me një interes rekord dhe në përputhje me afatet e parapërcaktuara, javën tjetër do të njihemi me tre idetë më të mira të përzgjedhura për pjesëmarrje.