Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Një vit më parë, me 10 milionë turistë dhe mbi 4 miliardë euro të ardhura nga turizmi regjistruam një rekord të paimagjinueshëm deri pak kohë më parë.

Si asnjë vend tjetër, Shqipëria ka qenë në gjendje që në një dekadë të 3-4 fishojë numrin e vizitorëve.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit, jemi tashmë vendi me rritjen më të shpejtë në Europë dhe një ndër 4 vendet me rritjen më të shpejtë në botë.

Ky rezultat është dëshmi e suksesit të një vizioni për të kaluar nga turizmi 1-2 mujor, kryesisht i bregdetit, në një turizëm të shtrirë në të gjithë territorin, në 365 ditë.

Në këtë vizion, arti, kultura, traditat dhe trashëgimia jonë kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Janë pikërisht këto pasuri, qofshin ato kisha, xhami, kështjella, parqe arkeologjike, parqe natyrore, qytete të UNESCO-s, ura mesjetare, vepra arti, festivale, veshje, gastronomi, etj, që janë vënë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mirëqënies.

E sidomos, në funksion të zhvillimit dhe nxitjes së punësimit në zona dhe komunitete lokale.

Ky vit, si asnjë vit tjetër ka qenë një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të turizmit kulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë kombëtare.

Dua ta nis menjëherë me disa shifra domethënëse të këtij suksesi.

Përgjatë 2024, sitet tona kulturore reflektojnë një rritje prej 35% në numrin e vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar.

Parqet arkeologjike kanë shënuar një rritje prej 51%, duke theksuar se trashëgimia jonë është kthyer në një pikë tërheqëse për vizitorët nga e gjithë bota.

Vlen të theksohet rritja e jashtëzakonshme e vizitorëve të huaj në këto site, me një rritje prej 40%, ndërsa vizitorët vendas janë rritur me 31%.

Mbështetja e artizanatit ka ndihmuar në gjallërimin e ekonomive lokale, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet më të vogla, duke i ofruar artizanëve më shumë mundësi në ekspozimin e punimeve të tyre unike.

Gjithashtu, po i kushtojmë vëmendje maksimale rijetëzimit të monumenteve kulturore si një tjetër element në aktivizimin e turizmit kulturor në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.

Duke investuar në restaurimin dhe mbajtjen e këtyre objekteve, ne jo vetëm që ruajmë vlerat tona kulturore, por gjithashtu krijojmë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve turistike që përfshijnë ekskursione, guidat kulturore, dhe ngjarje artistike.

Jemi besimplotë se trendi i rritjes turistike do të vijojë edhe në vitin 2025, ndaj po punojmë krahas formalizimit të sektorit të turizmit, edhe me një plan të veçantë për mirëadministrimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në funksion të përmirësimit të eksperiencës turistike.

Këto site e parqe arkeologjike që janë simbole identitare të kulturës sonë, janë transformuar tashmë edhe në skena e hapësira performative e rekreative për artistët.

Gjatë fluksit turistik veror, janë organizuar mbi 600 evente kulturore në mbarë vendin, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme prej 150% krahasuar me vitin e kaluar.

Në total, kalendari ynë i eventeve në 2024 përfshin mbi 2.300 shfaqje, festivale, ekspozita, evente të tjera, etj.

E gjithë kjo paketë ka sjellë një përvojë të pasur kulturore për mbi 500,000 spektatorë, të cilët kanë përjetuar një mozaik të larmishëm artistik.

Ky sukses reflekton përpjekjet tona të vazhdueshme për të diversifikuar kalendarin kulturor, promovimin e tyre në shumë platforma online dhe aplikacioni TEA.
Si kurrë më parë, kemi qenë prezent dhe kemi forcuar fuqinë tërheqëse të qyteteve të vogla, shumë prej të cilëve nuk kanë një aktivitet turistik të konsoliduar, si Burreli, Kolonja, Erseka, etj.

Megjithatë, për të përballuar këtë rritje të ndjeshme të turizmit, është thelbësore të vendosim standarde të larta shërbimi, të cilat përkojnë me pritshmëritë e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Shembuj suksesi të infrastrukturave mikpritëse gjejmë të shpërndara kudo në Shqipëri, duke përthithur gjithmonë e më shumë interesin e investitorëve të huaj dhe diasporës.

Ndaj, kemi vendosur një fokus të veçantë te zhvillimi dhe kualifikimi i kapaciteteve njerëzore, duke inkurajuar aktivisht regjistrimin e studentëve në programet e arsimit profesional.

Vetëm në vitin e ri akademik, janë regjistruar 4,400 studentë në arsimin profesional, ose 10% më shumë se në vitin e kaluar, ku gjithmonë e më shumë po shihet interesi i të rinjve drejt punësimit në sektorin turistik.

Shumë nga këto zanate dhe dije të përfituara lidhen drejtpërsëdrejti me turizmin.

Si asnjë sektor tjetër i ekonomisë sonë, turizmi ka një fuqi transformuese të çdo qelize të ekonomisë dhe jetës së vendit tonë.
Ka një fuqi transformuese sa i përket infrastrukturës, energjisë, manaxhimit të mbetjeve, ujit, hapësirave të blerta, zhvillimit ekonomik, punësimit, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, etj.

Për të gjithë këtë arsye, strategjia e prezantuar këtu sot është më shumë se thjesht një strategji për zhvillimin e turizmit në 6-vjeçarin e ardhshëm.

Është mbi të gjitha një çelës, që hap perspektivën e Shqipërisë Europiane, si dhe perspektivën e një vendi të zhvilluar e të mirëqënë në të gjithë 28 mijë kilometrat e tij katror.