Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Deri pak vite më parë, asnjë s’do ta kishte menduar si të mundur që produktet tona bujqësore të shkonin në tryezat e mbi 80 vendeve të botës.

Zarzavate shqiptare në Egjipt, vaj ulliri në Itali, verë në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, e kështu me radhë.

Ky rezultat është maja e asjbergut e një pune kolosale që ka bërë Anila dhe Ministria që ajo drejton ndër vite për të standartizuar produktet tona bujqësore.

Por, është gjithashtu edhe një rezultat direkt i punës së MEKI-t dhe AIDA-s për të promovuar produktet tona sa më gjerë në botë.

AIDA është përgjegjëse për hartimin e katalogut “Zgjidh të Vendit”, që është në fakt një mekanizëm për të promovuar të gjithë këtë tërësi produktesh në tregjet ndërkombëtare.

Kemi mbështetur vazhdimisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalet Turistike në botë, ku vazhdimisht janë promovuar edhe produktet e tokës sonë.

Dua të theksoj se ekonomia është një ndër ato fusha ku gjithçka është e ndërlidhur.
Nga janari deri në shtator janë pothuajse 3 miliardë euro eksporte, mes të cilave 400 milionë produkte bujqësore.

Në 2024-n kemi thyer një rekord të ri për numrin e turistëve, e projeksioni deri në fund të vitit është për 12-13 milionë turistë e rreth 5 miliardë euro të ardhura.

Kemi shënuar një rekord sa i përket investimeve të huaja direkte, me mbi 1.5 miliardë euro.

Kemi shënuar rekord në 2024-n sa i përket nivelit më të ulët të papunësisë, papunësisë së të rinjve, nivelit të inovacionit dhe dixhitalizimit të ekonomisë sonë. Etj.

Të gjitha këto kanë sjellë një ndryshim epokal me të shkuarën. Ka shumë arsye që shpjegojnë suksesin e arritur.

Por, nëse do të zgjidhja vetëm një, është koncepti i ri në të cilin turizmi nuk është më një sektor i shkëputur, por vendoset në funksion të të gjithë ekonomisë.

Ku arti nuk është më vetëm në funksion të argëtimit, por edhe në funksion të mirëqënies dhe nxitjes së mëtejshme të zhvillimit.

Apo më tej, ku kultura e trashëgimia jonë kulturore vendosen në funksion të nxitjes së mëtejshme të turizmit, prodhimit, forcimit të komuniteteve, etj.
Në këtë realitet të ri, në këtë vizion, një agroturizëm nuk është më një bujtinë ku gatuhet mirë, ku qytetari shkon të konsumojë produkte të freskëta.

Por, është shumë më tepër, është një vatër zhvillimi i të gjithë zonës, si dhe një burim prodhimi “Made in Albania”, që lidh me produktin jo vetëm cilësinë, por edhe historinë, kulturën e territorin.

Për këtë arsye, MEKI është e angazhuar në një fushatë për të garantuar në shkallë të gjerë regjistrimin dhe mbrojtjen e treguesve gjeografikë.

Në Bashkimin Europian, janë mbi 3.500 produkte që kanë të regjistruar brandimin e tyre gjeografik. Mes tyre, 40% janë vera dhe 35% produkte agroushqimore.

Në total, këto produkte gjenerojnë rreth 80 miliardë euro të ardhura nga shitjet në vit. Arrijnë të shiten mesatarisht me një vlerë dy herë më të lartë, për shkak se brandimi gjeografik është sinonim cilësie.

Shembujt janë të shumtë: Feta greke, Parmixhano i Parmës, vera Bordo e zonës së Bordosë, vodka polake, xhamboni spanjoll, etj.

Qëllimi ynë është që të bëhemi gjithmonë e më shumë pjesë e kësaj harte elitare cilësie, duke plotësuar të gjithë kushtet për kategorizimin e produkteve shqiptare dhe njohjen e tyre në masë të gjerë, si përshembull jufka Dibre, Raki Skrapari, etj.

Qeveria shqiptare ka mbështetur zhvillimin e sektorit të agroturizmit përmes incentivave direkte dhe lehtësirave tatimore, me taksën vetëm 5%.

Do të vijojmë ta mbështesim fuqimisht këtë sektor strategjik që është agroturizmi, pasi turizmi, për Shqipërinë ofron një shans të shkëlqyer që duhet të kapet në të gjithë dimensionin e tij.

Është një mundësi transformimi jo vetëm për zonat turistike, komunitetet lokale apo strukturat akomoduese, por për të gjithë ekonominë dhe sipërmarrjen shqiptare.

Ndaj nisma e sotme synon të përforcojë forcën transformuese të këtij sektori, duke e vendosur atë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të prodhuesve shqiptar.

Duke nxitur përfshirjen sa më të gjerë të produkteve dhe markave shqiptare në zinxhin tonë akomodues dhe duke gërshetuar më të mirën që toka dhe njerëzit ofrojnë me atë që natyra na ka falur, jemi në gjendje t’i vendosim vetes një objektiv të ri ambicioz.

12-13 milion turistë dhe 5 miliardë eurove të ardhura në vit, që njohin përveç bukurive të natyrës dhe kulturën tonë, edhe verën, djathin, produktet bio, proshutën, mishin, e produkte të tjera vendase.

Dua të theksoj se sot, janë 250 mijë vende pune që krijohen apo mbështeten direkt apo indirekt nga turizmi. 1 në 5 shqiptarë sot punon direkt apo indirekt në sektorin e turizmit.

Por, promovimi i produkteve vendase do të nxisë një efekt zinxhir, që do të rrisë mirëqënien dhe prodhimin përtej këtij sektori, duke nxitur më shumë punësim dhe më shumë të ardhura në sektorë si bujqësia, industria e lehtë, industria e komunikimit dhe teknologjisë, transporti, etj.

Pra, një turizëm all-inclusive, që vihet në shërbim të të gjithëve, edhe atij qytatarit në qytetin e të cilit nuk vijnë pothuajse kurrë turistë. Edhe atij fermerit fshati i të cilit ndodhet shumë larg qendrave turistike.

Dhe të gjithë të tjerëve, duke garantuar që të mirat e gjeneruara nga sektori me rritjen më të shpejtë në vend të ndahen në mënyrë të barabartë mes të gjithë shqiptarëve.

Paralelisht dhe për të arritur këtë objektiv:

– Shqipëria vijon të bëjë përpjekje për të përmirësuar më tej kuadrin e saj ligjor dhe rregullator për tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin e turizmit.

– Kemi zbtuar reforma dhe aprovuar stimuj për rritjen e investimeve të huaja, duke përfshirë edhe incentiva për proceset e thjeshtuara burokratike. AIDA ka gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm edhe në këtë drejtim.

-Pas miratimit të “Ligjit për Turizmit” dhe Ligjit “Për Investimet e Huaja”, edhe ligji Strategjik i Investimeve ofron garanci maksimale ligjore për investitorët e huaj.

Pa u zgjatur më tej

Jam besimplotë, që do të jemi në lartësinë e vizionit të Shqipërisë 2030, një konkurrent i denjë në Champions Leaguen e turizmit botëror dhe pse jo, një lider absolut për vizitorë apo të ardhura nga turizmi për frymë.