Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ceremonia e hapjes në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Semitit të VI-të të Komunitetit Politik Europian – 16 maj 2025

Një rrëfim vizual dhe performativ që përshkruan Shqipërinë në udhëtimin e saj nga e shkuara drejt së ardhmes – përmes historisë, trashëgimisë dhe inovacionit.

Ceremonia nisi me vizatime fëmijësh me vizionin e tyre për Europën, në momentet e tyre duke pikturuar në sheshin “Skënderbej” dhe në qendra të tjera të Shqipërisë, duke u bashkuar drejt një timelaps të ndërtimit të strukturës së samitit si Shtëpia e Europës.

Ceremonia vijoi me një performancë simbolike nga balerini i ri Ergi Imeraj, i cili përfaqëson brezin e ri që mbart kujtesën historike të vendit dhe ëndrrën për një të ardhme më të mirë. Në sfondin e një vizuali dokumentari, që risjell momente kyçe të historisë sfiduese shqiptare – nga prishjet e objekteve të kultit te trazirat e ’97-s dhe eksodi – Ergi lëviz mes kujtesës dhe shpresës, i shoqëruar nga një cohë që përfaqëson ëndrrën dhe vazhdimësinë.

Më tej, pamjet e arkivës nga fototeka Marubi, të sjella në jetë me AI të shoqëruara nga kompozimi premierë “Run” nga Aulon Naçi, i dhanë ritëm një vrapimi drejt natyrës dhe vlerave themelore njerëzore – një kthim te origjina europiane.

Trashëgimia shpirtërore e veriut u soll në skenë me Vallen e Shqipeve, nga valltarët e Ansamblit Kombëtar që evokuan figurën e shqiponjës, në një peizazh që flet shqip në çdo hap.

Në kulm, trupa e baletit kontemporan e TKOBAP interpretoi këngën “Zjerm”nga Shkodra Elektronike, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision, të rikompozuar me elemente tradicionale dhe klasike. Në skenë, xhubleta, lahuta dhe motivet kombëtare ndërthuren me gjuhën moderne të lëvizjes, duke sjellë një akt mikpritjeje ndaj së ardhmes, e ku në sfond shfaqej Shqipëria e re, moderne dhe e zhvilluar.

Ergi i bashkohet trupës si simbol i brezit të ri që bëhet pjesë e një Shqipërie që ecën përpara, me rrënjët e saj thellë në tokë dhe sytë nga e ardhmja.

Në fund, ceremonia u përmbyll me një përshëndetje mirëseardhjeje në Shqipëri në gjuhë të ndryshme me AI nga liderët europianë.

Një ceremoni që ftoi liderët e Europës në një rrëfim të Shqipërisë – të sinqertë, të thellë dhe krenar.