Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit industrial të qëndrueshëm dhe modernizimit ekonomik të Shqipërisë.

Nënshkruam sot Marrëveshjen e bashkëpunimit me IFC për Parqet Eco Industriale në Shqipëri, një angazhim konkret për një të ardhme ku rritja ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit ecin paralelisht.

Përmes konceptit të Parqeve Eko-Industriale, Shqipëria pozicionohet strategjikisht në zemër të tranzicionit të gjelbër dhe në përputhje me standardet e kapitullit 20, duke mbështetur politikat industriale dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Si dikur Ruhri në Gjermani, ne kemi mundësinë të transformojmë zona si Uzina Metalurgjike në Elbasan në qendra të inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Kombinati në Tiranë do të jetë një nga pikat kryesore ku do të përqendrohet ky model i ri zhvillimi, një hapësirë me potencial të madh për t’u kthyer në një park eko-industrial që do të kombinojë teknologjinë e gjelbër me ndërlidhjen efikase të bizneseve dhe inovacionit.

Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe partneritetin me IFC, synojmë të ndërtojmë korniza më të forta ligjore, të rrisim kapacitetet institucionale dhe të nxisim investimet private në teknologji të qëndrueshme. Kjo është rruga për ta kthyer industrinë shqiptare në një histori suksesi të tranzicionit të gjelbër në rajon.