Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Projekti i Muzeut BESA, por jo vetëm, në Festivalin e Arkitekturës “Buk e Kryp e Zemër” ose “Bread&Heart (bring some salt please)” Festival në Tiranë – ku arkitektë të famshëm e të rinj, studio të mirënjohura ndërkombëtare por edhe partnerë lokal, zhvillues publik e privat, institucione qendrore e vendore, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, u mblodhën në aktivitetin më të madh rajonal ndonjëherë të mikpritjes, arkitekturës & dialogut mbi të ardhmen, vizionarëve global e perspektivave lokale, në një shkëmbim origjinal, mirëkuptues e frymëzues.
Kënaqësi për projektet e shumta të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që përfaqësoheshin në këtë event, mes krijuesve e projektuesve, në proces detajimi ose zbatimi, investim i Qeverisë Shqiptare për transformimin e infrastrukturës artistike e kulturore, si muze e teatro, biblioteka e objekte social ekonomike, sëbashku me dhjetra koncepte, programe e projekte në faza konkurrimi, kontraktimi e lançimi në bashkëpunime me partneritete që çlirojnë potenciale ekonomike e risi zhvillimore për investime direkte! Kemi hyrë në një epokë të re ballafaqimi me modelet ndërtimore, funksionale e mjedisore ku komunitetet urbane e rurale duhet të ndërveprojnë me ndjeshmëri por edhe me vetëdije mbi ambiciet, të sotmen e të ardhmen, pa harruar kujtesën historike e traditat. Ky është momenti kur Shqipëria fton eksperiencat më inovatore për t’u ofruar si një realitet reflektiv e aktiv i trajtimit të hapësirave me zgjedhjet e duhura bashkëkohore e përfshirëse.