Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Edicioni i 61-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia

Venecia, 09 Maj – 22 Nëntor 2026

Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në cilësinë e komisionerit të Pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për Pavijonin Shqiptar në Bienalen e Artit, që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 09 maj – 22 nëntor 2026 (para-hapje 6, 7 dhe 8 maj) në Giardini, Arsenale dhe vende të tjera në Venecia, me temë: In Minor Keys, nga kuratorja Koyo Kouoh.

Për më shumë informacion mbi tematikën, vizitoni faqen e Bienales së Venecias: https://www.labiennale.org/en/news/biennale-arte-2026-minor-keys

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i Artit bashkëkohor dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve. Thirrja është e hapur për projekt propozim të përbashkët artist-kurator apo kolektiv, për realizimin e një ose me shumë veprave të reja artistike me qëllim të prezantimit sa më dinjitoz të Pavijonit zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

PROFILI I KANDIDATËVE:

  1. Të jenë individë ose ekipe të përbëra nga artistë bashkëkohorë, studio arkitekturore, apo kolektive multidisiplinare që përfshijnë profesionistë si:
  • Artistë vizualë / Arkitektë (si drejtues të grupit);
  • Grafik dizajnerë;
  • Kritikë arti;
  • Artizanë;
  • Sociologë urbanë;
  • Planifikues urbanë;
  • Ose profesionistë të tjerë relevantë me projektin artistik.
  1. Të dëshmojnë njohuri shumë të mira mbi artin shqiptar.
  2. Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e artit, e cila të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.
  3. Të jenë shtetas shqiptar.

KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:

  1. Të zhvillojë konceptin kuratorial origjinal:

Të kryejë një hulumtim të thelluar dhe të formulojë një koncept unik e të qartë, të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent, që pasqyron identitetin kulturor shqiptar dhe është në dialog me temat bashkëkohore të artit.

  1. Të hartojë projektin artistik-kuratorial për Pavijonin Shqiptar:

Të ndërtojë një projekt të integruar që përfshin të gjithë përmbajtjen e ekspozitës, përfshirë:

Punime artistike (p.sh. pikturë, skulpturë, fotografi, instalacione, modele, materiale audio-vizuale);

Tekste interpretuese dhe informuese për panelet ekspozuese.

  1. Të zhvillojë programin kulturor shoqërues:

Të projektojë një program publik (evente, diskutime, performanca, bashkëpunime) që do të shoqërojë Pavijonin Shqiptar gjatë gjithë periudhës së Bienales, duke mundësuar angazhim me publikun ndërkombëtar dhe promovimin e artit/kulturës shqiptare.

  1. Të realizojë zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit:
  • Kurimin dhe prodhimin e ekspozitës;
  • Menaxhimin logjistik dhe teknik të projektit;
  • Koordinim të vazhdueshëm me përfaqësues të autorizuar të MEKI-t dhe me stafin e Bienales së Venecias rreth organizimit dhe përmbushjes së kërkesave logjistike për realizimin e ekspozitës;
  • Të kontribuojnë në përgatitjen e katalogut zyrtar të pavijonit të MEKI, deri në botim;
  • Mbikëqyrjen e buxhetit dhe respektimin e afateve kohore.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me artistë / kuratorë vendas dhe/ose të huaj, që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.

KRITERET PËR KURATORË:

  1. Të jenë shtetas shqiptarë ose të huaj;
  2. Të kenë njohuri për skenën e artit pamor në Shqipëri dhe zhvillimet bashkëkohore ndërkombëtare;
  3. Të kenë profil të njohur profesional dhe/ose ndërkombëtar;
  4. Të dëshmojnë se posedojnë shkathtësi në kurimin e ekspozitave të ndryshme bashkëkohore të artit;

DETYRAT PËR KURATORË:

  1. Të zhvillojnë konceptin kuratorial të Pavijonit Shqiptar, në koordinim me artisten/in.
  2. Të hartojnë planin e programit kulturor të Pavijonit së bashku me artisten/in, në koordinim me përfaqësues të MEKI;
  3. Të përcaktojnë qasjen kuratoriale ndaj mediumeve që do të përdoren;
  4. Të menaxhojnë bashkë me artisten/in katalogun zyrtar të Pavijonit të Shqipërisë deri në botim;
  5. Të bashkëpunojnë ngushtë me artistin dhe të koordinohet me ekipin e PR deri në prezantimin e ekspozitës dhe pas hapjes së pavijonit;

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES:

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

  1. Përputhshmëria me temën e Edicionit të 61-të të Bienales (30 pikë);
  2. Qartësinë dhe origjinalitetin e projekt-idesë (30 pikë);
  3. Aftësia e konceptit artistik/kuratorial dhe potencialin e të bërit të prekshëm, të dukshëm dhe të komunikueshëm te publiku (20 pikë);
  4. Fuqinë artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer” në një gjuhë dhe peizazh vizualisht të fortë (10 pikë);
  5. Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar projektin artistik tek audienca dhe kritikët si dhe për të zhvilluar audienca të reja (10 pikë);

DOSJA E KANDIDIMIT:

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:

  1. Formularin e kandidimit (shkarkojeni KËTU)
  2. Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjalë) In Minor Keys
  3. Metodën e hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
  4. Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten
  5. Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
  6. CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).
  7. Deklaratë e gjendjes gjyqësore/ dëshmi penaliteti

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i Edicionit të 61-të të Ekspozitës së Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2026, www.labiennale.org.

TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

Pavijoni shqiptar do të vendoset në katin e parë të Sale d’Armi A të Arsenale, hapësirë prej 105 m² . Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden KËTU.

DORËZIMI I DOSJES:

Dosja duhet :

  1. Të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht;
  2. Të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe digjitale) në vëmendje të Sekretarisë Teknike të Bienales në adresën: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Rruga “Dëshmorët e Shkurtit”, Tiranë;
  3. Të dërgohet elektronikisht në adresën: biennale2026@meki.gov.al;
  4. Të dërgohet brenda datës 14 shtator 2025.