Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Hapja e procedurës për aplikim për pajisjen me licencë apo ripërtëritjen e saj për administrimin kolektiv të së drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to.

Kjo thirrje bazohet në ligjin nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” i ndryshuar, vendimin nr. 33, datë 18.1.2017 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Drejtoria për të Drejtat e Autorit”, si dhe udhëzimin nr. 338, datë 2.6.2023 të ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për marrjen e licencës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit, ripërtëritjen e saj, si dhe përcaktimin e kritereve dhe procedurave për pezullimin dhe heqjen e licencës”.

Subjektet e interesuar paraqesin kërkesën për licencim apo ripërtëritje të saj, pranë ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit me dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. a) kërkesë për shprehje interesi;
  2. b) formularin e aplikimit sipas formatit të miratuar, bashkëlidhur udhëzimit nr. 338/2023;
  3. c) depozitimin e mandat pagesës së tarifës për licencim ose ripërtëritje të saj. Fatura tërhiqet pranë Drejtorisë së Buxheti dhe Menaxhimit Financiar në Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;

ç) dokumentacionin shoqërues, i cili vërteton përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 35/2016, i ndryshuar dhe në shkronjën B dhe C të kreut I të udhëzimit nr. 338/2023.

Afati për depozitimin e kërkesave dhe plotësimin e plotë të dosjes së aplikimit për licencim ose ripërtëritjen e saj është 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e publikimit të thirrjes në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit. Për shkaqe objektive dhe të justifikuara, ministri përgjegjës për të drejtën e autorit mund të shtyjë afatin e dorëzimit të dokumentacionit, i cili publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit.  Dokumentacioni depozitohet pranë protokollit të ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit.

Për informacione të mëtejshme apo sqarime shtesë, ju lutemi të na kontaktoni e në adresën e email-it (DDA@meki.gov.al)