Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ofron mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe zejtarët, duke synuar forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Kjo thirrje e MEKI synon të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga individë artizanë, persona juridikë të regjistruar si OJF dhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin, edukimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe përcjelljen e artizanatit tradicional.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është të ofrojë këshilla të qarta për të gjithë aplikantët e interesuar që operojnë në fushën e artizanatit dhe veprimtarive që lidhen me të, në procesin e përgatitjes dhe dorëzimit të projekt-propozimeve në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore “Programi Kombëtar i Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë 2025”.

Kategoritë e Thirrjes për Artizanatin

Thirrja për mbështetje financiare me fonde publike për projekt-propozime për fondin e artizanëve do të mbështesë financiarisht projekt-propozime në fushën e artizanatit dhe zejtarisë, me synim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Projektet fituese të Thirrjes 2025 do të përfshijnë aktivitete të fushave të punimit artizanal të drurit, gurit, metaleve, kostumeve popullore tradicionale, poçerisë, xunkthit, filigranit, qendistarisë, prodhimit të veglave popullore, kulinarisë dhe zanateve të lidhura me të, endjes së pëlhurave në tezgjah dhe vegjë etj.

Kategoritë që mbështeten në këtë Thirrje:

Kategoria I: Mbështetje financiare për prodhimet artizanale

Kategoria II: Mbështetje financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza

Kategoria III: Artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilat marrin pjesë në panaire dhe evente të dedikuara të trashëgimisë kulturore

 

Çfarë parashikon çdo kategori?

  • Kategoria I: Artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilat ruajnë, mbrojnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore jomateriale.
    • Fondi: 500,000 lekë – 1,500,000 lekë lekë

Kush mund të aplikojë:

Në këtë kategori mund të aplikojnë artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilat kanë aktivitet të vazhdueshëm prodhues në fushat e cilësuara të kësaj kategorie.

Artizanë dhe/ose shoqata të artizanatit

Mbështetja financiare për këtë kategori do të konsistojë në:

  • blerje e mjeteve të punës të dedikuara për aktivitetin prodhues të tyre
  • blerje e lëndës së parë për realizimin e produktit artizanal të aktivitetit të tyre
  • mbështetje për promovimin dhe brandimin e produkteve artizanale

 

  • Kategoria II: Artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilat kryejnë trajnime në funksion të transmetimit të dijebërjes ndër breza
    • Fondi: 1,000,000-2,000,000 lekë

Në këtë kategori mund të aplikojnë artizanë dhe shoqata artizanati të cilat kanë kapacitet dhe logjistikë për të mundësuar trajnimin teorik dhe praktik me fokus të rinjtë për transmetimin e dijebërjes brez pas brezi.

Mbështetja financiare për këtë kategori do të konsistojë në:

  • qira për ambientet ku do zhvillohen trajnimet
  • honorare për trajnerë
  • honorar për të rinjtë që do trajnohen
  • blerje mjetesh pune dhe lëndë të parë për trajnimet
  • evente përmbyllëse të ciklit të trajnimeve
  • Kategoria III: Artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilat marrin pjesë në panaire dhe evente të dedikuara trashëgimisë kulturore
    • Fondi: 300,000 lekë deri në 1,000,000 lekë

Në këtë kategori mund të aplikojnë artizanë dhe shoqata të artizanatit të cilët kanë aktivitet të vazhdueshëm prodhues dhe/ose promovues në fushën e artizanatit.

Mbështetja financiare për këtë kategori do të konsistojë në pjesëmarrje dhe/ose organizim panairesh, ekspozitash për artizanatin.

Në rast të pjesëmarrjeve në panaire, ose organizime të këtij lloji, aplikanti mund të mbështetet financiarisht për:

  • pagesën e qirasë së pjesëmarrjes
  • shpenzimet transporti dhe akomodimi
  • honoraret për artizanët pjesëmarrës
  • lëndët të para, materialet promocionale, pajisjet me qira në funksion të pjesëmarrjes, etj.

Fondi për Thirrjen “Fondi i Artizanëve” 2025

Fondi total i kësaj thirrje është 30,000,000 lekë. Në varësi të aplikimeve, vlerësimit të tyre sipas sistemit të pikëzimit nga Komisioni i Vlerësimit, kategorizimit të aplikimeve sipas tre kategorive, do të përcaktohet dhe numri i fituesve.

Kush mund të aplikojë në këtë thirrje?

Në këtë thirrje mund të aplikojnë artizanë, shoqata të artizanatit, individë dhe personat fizik, të cilat kanë aktivitet të vazhdueshëm prodhues në fushat e cilësuara të kësaj kategorie, të cilat kanë kapacitet dhe logjistikën për të mundësuar realizimin e këtyre aktiviteteve, dhe që kanë aktivitet të vazhdueshëm prodhues dhe/ose promovues në fushën e artizanatit.

Ku dhe kur duhet të dorëzohet paketa e aplikimit?

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike dhe kopje elektronike te kultura@meki.gov.al me subjekt: Thirrje “Fond i Artizanëve”, të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Afati kohor maksimal për dorëzimin e aplikimit është data 28 shkurt 2025, ora 14:00.

Adresa: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

E-mail: kultura@meki.gov.al

Kur do të shpallet lista e fituesve?

Shpallja e listës së fituesve në faqen zyrtare të MEKI (www.meki.gov.al) do të publikohet në datën 21 mars 2025.

Aktivitetet e projekteve që do të mbështeten financiarisht duhet të zhvillohen brenda periudhës 31 mars 2025 – 14 nëntor 2025.

Shënim: Aplikanti fitues shpallet vetëm një herë fitues në një nga thirrjet e shpallura nga MEKI gjatë një viti kalendarik. Pra, aplikanti mund të aplikojë në disa thirrje të MEKI-t, por mund shpallet fitues vetëm një herë.

 Informimi i aplikantëve

Aplikantët e interesuar mund t’i adresojnë pyetjet përmes adresës kultura@meki.gov.al, duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 21.02.2025, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse ose do të botohen në faqen zyrtare të MEKI-t.

Lista e dokumenteve që duhet të shkarkoni dhe të dorëzoni

Dokumente për aplikim (të vlefshme për të gjitha kategoritë)

  1. Udhëzuesi dhe Prioritetet për Thirrjen 2025 (Shtojca 1)
  2. Formulari i Aplikimit 2025 (Shtojca 2)
  3. Formulari i Projekt-Buxhetit 2025 (Shtojca 3)
  4. Formulari i Aktiviteteve 2025 (Shtojca 4)
  5. Deklarata e Financimit të Dyfishtë (Shtojca 5)
  6. Deklarata e Konfliktit të Interesit (Shtojca 6)
  7. Lista e dokumenteve shoqëruese të aplikimit (Shtojca 7)

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përditësuara, jo më vonë se 3 muaj nga afati i aplikimit.

  • Dokumentet e Kërkuara për OJF-të
  1. a) Kopje e Statutit/Vendimit të Gjykatës të Organizatës;
  2. b) Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
  3. c) CV/portofol i organizatës;
  4. e) Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që organizata nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  5. f) Vërtetim nga Prokuroria që administratori/personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  6. g) Vërtetim i llogarisë bankare të organizatës në ALL (lekë).
  • Dokumentet e Kërkuara për Personat Fizik
  1. a) Kopje e Certifikatës së Regjistrimit dhe Ekstrakt Historik nga QKB;
  2. b) CV/portofol i aplikantit;
  3. d) Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që aplikanti nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  4. e) Vërtetim nga Prokuroria që administratori nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. f) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë).
  • Dokumentet e kërkuara për Individët
  1. a) CV-të e Individit apo Grupit të Individëve që do të angazhohet në projekt (nëse bëhet fjalë për më shumë se një individ);
  2. b) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë);
  3. c) Vërtetimi nga Tatimet që Individi apo Grupi i Individëve nuk është/janë i/të regjistruar në asnjë organ tatimor të Republikës së Shqipërisë;
  4. d) Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. e) Fotokopje e Kartës së Identitetit të Individit/ Grupit të Individëve që do të angazhohen në projekt.

 

Shënim: Me qëllim vlerësimin e projekt–propozimit, dokumentacioni kryesor dhe ai shtesë janë njësoj të vlefshme dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të sipërpërmendura duhet të bëhet në 1 kopje fizike dhe elektronike me email në adresën elektronike të dedikuar për thirrjen pranë MEKI: kultura@meki.gov.al