Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

I nderuar ambasador, Znj. Ministre, përfaqësues të shoqërisë civile, të nderuar pjesëmarrës

Në vendin që ka nxjerrë vullnetaren më të njohur të botës, Nënë Terezën, për shumë kohë nuk kemi pasur një kornizë të saktë ligjore për të nxitur dhe rregulluar aktivitetet vullnetare.

Në këtë drejtim, një hap shumë i rëndësishëm u hodh në vitin 2016, me miratimin e Ligjit për Vullnetarizmin.

Ai ligj solli një ndryshim pozitiv, duke krijuar për herë të parë një kuadër modern dhe të bazuar në disa prej përvojave më të mira botërore të vullnetarizmit.

Mbase merita më e madhe e atij ligji, ishte rrëzimi i një steriotipi të trashëguar në pothuajse të gjithë vendet ish-komuniste, e posaçërisht në Shqipëri, ku për 50 vjet “puna vullnetare” u bë një eufemizëm për skllavërinë.

Falë ndryshimeve të 2016-s u tregua për herë të parë se qënia vullnetar, nuk është vetëm një kontribut i lindur nga solidariteti, empatia apo dëshira për t’u angazhur në çështje me interes publik.

Por, është gjithashtu një përvojë e jashtëzakonshme personale, si dhe një mjet i pazëvendësueshëm për t’u afirmuar në shoqëri e për të ecur përpara në karrierë.
Megjithatë, tetë vjet më pas, ka lindur nevoja që të bëjmë edhe më shumë, për të garantuar rritjen e mëtejshme të vullnetarizmit në vendin tonë.

Ndaj, kam kënaqësinë që t’iu drejtohem në këtë moment të rëndësishëm, në të cilin bashkërisht kemi në dorë të bëjmë një ndryshim thelbësor për shumë qytetarë, e veçanërisht të rinjtë që janë më të prirur për t’u angazhuar në aktivitete vullnetare.

Në këtë drejtim, rastet e suksesit nuk mungojnë.

Ka organizata apo nisma që janë bazuar me sukses në kontributin e vullnetarëve, të cilët përmes hapësirave që kanë gjetur kanë bërë një ndryshim real në shoqërinë tonë.

Mundësia për të replikuar këta shembuj suksesi në masë të gjerë ekziston, ndonëse pengesat janë ende prezente.

Për këtë arsye, për të nxitur një efekt domino në përhapjen e vullnetarizmit, MEKI ka ndërmarrë një rishikim të kornizës ligjore, për ta barë atë sa më gjithpërfshirëse.

Ligji aktual ka disa dispozita të mira, por pak të njohura dhe është e rëndësishme që ai të përshtatet për t’u bërë më lehtësisht i aplikueshëm për të gjithë.

Për të dhënë një shembull, Studimi Kombëtar mbi Vullnetarizmin në Shqipëri për vitin 2021, tregon se pjesa më e madhe e të pyeturve, 87% nuk ishin në dijeni të ekzistencës së librezës së vullnetarizmit.

Rreth 2/3 e të anketuarve nuk kishin informacion për Ligjin mbi Vullnetarizmit dhe më pak se 1/3 kanë informacion, i cili shpesh ishte i pamjaftueshëm, ndërsa 4% nuk kanë aspak informacion.

Prandaj si Ministri kemi punuar intensivisht për paketën teknike të zbatimit të ligjit të rishikuar për vullnetarizmin, me fokus lehtësimin e procedurave te deklarimit të vullnetarëve përmes shërbimeve elektronike të thjeshtësuara.

Ky hap synon të ulë barrierat administrative dhe të inkurajojë më shumë qytetarë të angazhohen në aktivitete vullnetare.

Regjistrimi i vullnetarëve në databazën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive është një hap tjetër drejt formalizimit dhe njohjes së rolit të tyre në shoqëri.

Kjo do të mundësojë një monitorim më të mirë të aktivitetit vullnetar dhe një njohje më të madhe të kontributit të tyre, pse jo dhe si praktike pune.

Një sfidë e dytë është regjistrimi dhe sigurimi i mbrojtjes së vullnetarëve.

Për fat të mirë, Shqipëria ka shumë të rinj, të reja dhe qytetarë të angazhuar në aktivitete vullnetare që kërkojnë sforco të mëdha fizike apo psikologjike.
Kemi pajtues gjaqesh, kemi ambientalistë, kemi vullnetarë të angazhuar në mbështetjen e familjeve në varfëri në të gjithë territorin e vendit. E të tjerë me radhë.

E gjithë kjo armatë vullnetarësh është një pasuri e jashtëzakonshme për vendin. Prandaj, është thelbësore që të gjithë ata të kenë siguri në vendin e ushtrimit te vullnetarizmit, duke përfshirë mbulimin e sigurimeve ndaj aksidenteve.

Ne jemi duke punuar për të siguruar që çdo vullnetar të ketë akses në këto sigurime, duke rishikuar dhe përmirësuar politikat aktuale të ligjit për vullnetarizmin.

Sfida e tretë lidhet me edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e vullnetarizmit.

Shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm për përfitimet personale dhe sociale të vullnetarizmit.

Ne do të ndërmarrim fushata të gjera informuese dhe edukuese për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar kulturën e vullnetarizmit në çdo segment të shoqërisë.

Në këtë drejtim, Rekomandimi i Këshillit Europian të për Mobilitetin e Vullnetarëve të rinj në BE është një udhërrëfyes i rëndësishëm që po merret në konsideratë në rishikimin e ligjit tonë të vullnetarizmit.

Ky rekomandim nënvizon rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që duan të angazhohen në aktivitete vullnetare, duke lehtësuar procedurat dhe duke garantuar njohjen e kontributit të tyre.

Në fund, dua të ritheksoj se vullnetarizmi është një forcë transformuese për çdo shoqëri.

E nisa fjalën time duke cituar Nënë Terezën. Vullnetarja më e madhe në historinë e botës ka qenë shqiptare. Dhe ajo ka thënë se “jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ama të gjithë, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Ju siguroj, se ne si Ministri, po e rishikojmë gjithashtu ligjin me shumë dashuri dhe se në këtë proces, ndihma e secilit është e mirëpritur.

Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe përkushtimin ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme.