Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në mbështetje të programit të Ateliesë së Edukimit Artistik në GKA, stina e pranverës do të festohet nga fëmijët përmes ngjyrave.

Mini – projekti “1000 penelata në telajo” ka për qëllim të nxisë publikun e ri dhe publikun e së ardhmes të bëhet pjesë e Galerisë, Ateliesë së Edukimit dhe aktiviteteve të saj.

Aktiviteti është konceptuar në realizimin e një pikture me përmasa të mëdha ku dhjetra fëmijë do të lënë gjurmën e tyre. Galeria Kombëtare fton të gjithë fëmijët e shkollave dhe kopshteve të vijnë dhe të marrin pjesë në këtë krijim me ngjyra, mbi telajon e bardhë. Secili mund të vizatojë, apo pikturojë atë që ndjen dhe të gjithë do të jenë autorët e një krijimi artistik të përbashkët.

 

Gjatë kësaj periudhe çdo fëmijë, apo nxënës është i mirëpritur të vijë në Galerinë e Arteve i shoqëruar nga një person i rritur ku gjithashtu do të gjejë materialet e nevojshme për të vizatuar, ose pikturuar mbi një telajo me përmasa 2 x 3 m.

Pas një muaji procesi krijimtarie, telajo do të cilësohet një pikturë e përfunduar ku dhe do të ekspozohet në hollin e GKA. Çdo fëmijë që ka hedhur një ngjyrë, apo ka krijuar një imazh në këtë tablo do të jetë bashkëautor i saj, ndërsa Galeria do të ruaj një kujtim të mrekullueshëm dhe një krijim të denjë për t’u ekspozuar për publikun.

Informacion mbi aktivitetin:

Fëmijët dhe nxënësit mund të vijnë në grupe, ose individualisht, të shoqëruar nga mësues, edukator, apo familjarë. Telajoja dhe materialet do të presin fëmijët në hollin e GKA. Proçesi i punës do të dokumentohet në vijimësi me imazhe fotografike në faqen zyrtare të ëeb-it dhe facebook të GKA.

Mini-projekti “1000 penelata në telajo” do të nisë më date 13 prill dhe do të përfundojë më 13 maj 2016.

Oraret e aktivitetit:

E mërkurë – E dielë

10:00 – 18:00{:}