14 marsi, Dita e Verës, një datë e shënuar, i rikthen kryeqytetit festimet popullore. Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me bizneset kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në Ditën e Verës. Në bashkëpunim me institucionet artistike, bizneset, etj . Tirana do të krijojë disa sheshe , lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat. Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Orkestra Rinore, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.
Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, pa harruar edhe parakalimin përgjatë bulevardit të arlekinëve dhe këmbajkave të Cirkut.
Lulet, simbol i kësaj feste, zënë vendin kryesor në këtë ditë, shoqëruar me ëmbëlsirën tradicionale, ballokumen nga Elbasani. Argëtimet për fëmijë do të jenë të larmishme, që nga koncertet, te pikturat e të tjera aktivitete. Në lulishtet, apo sheshe të improvizuara do të zhvillohen edhe aktivitete e ndeshje sportive për të rinjtë që duan basketbollin, futbollin, etj.
Një risi për Diten e Verës në kryeqytet do të jetë hapja e panairit me produkte shqiptare, që nga Piramida e deri tek Universiteti i Tiranës. Panairi, i cili ka bashkuar bizneset nga të gjitha trevat shqiptare do të organizohet nga BiznesAlbania dhe shoqatat anëtare të saj, të cilët do të krijojnë mundësi të ofrojnë produkte nën kosto në disa prej bareve, restoranteve dhe lokaleve të ndryshme në kryqytetit.
Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.
{:}