Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.

Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.

Çdo vit, ICOMOS propozon një temë të caktuar për kremtimet dhe aktivitetet që do të organizohen në këtë datë nga komitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të ICOMOS dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e kremtimeve.

Për këtë vit, tema e propozuar nga ICOMOS është “Peizazhet Rurale” (Rural Landscapes), temë e cila lidhet me temën e Simpoziumit Shkencor të ICOMOS mbi trashëgiminë rurale, që do të mbahet në tetor të këtij viti në Marakesh, Marok. Kjo temë do të shoqërojë të gjithë aktivitetet që do të organizohen.

Dita Ndërkombëtare e Monumente dhe Siteve e këtij viti ofron mundësinë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e peizazheve rurale, sfidat që përfshijnë ruajtjen e tyre, përfitimet që ofrojnë këto përpjekje dhe se si peizazhet rurale janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo gjithashtu ofron një mundësi për të nxitur komunikimin dhe për të ndërtuar lidhje me komunitetet, duke pranuar përfshirjen e tyre në krijimin, ekzistencën, evolucionin dhe pasurinë e këtyre peizazheve rurale dhe pa dyshim edhe në ruajtjen e tyre.

Kthyer tashmë në një traditë, edhe Shqipëria çdo vit i bashkohet kremtimeve në kuadër të kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqeve arkeologjike përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.

Me rastin e kësaj dite Ministria e Kulturës fton publikun e gjerë të të gjitha moshave të jetë pjesëmarrës në një larmi aktivitetesh, që do të zhvillojnë të gjitha institucionet e vizitueshme, në varësi të saj. Muzetë, parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale, kanë hartuar kalendarë me veprimtari të ndryshme për publikun, nga nxënësit e shkollave e deri te qytetarët artdashës si dhe për turistët vendas dhe të huaj, që do të vizitojnë këto institucione.

Të gjitha vizitat në institucionet e vizitueshme në varësi të Ministrisë së Kulturës në këtë ditë do të jenë falas.

Kalendari i aktiviteteve link{:}