Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën “Abstrakt dhe Kolazh” të piktorit  Agron Hoti.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti prezanton rreth 15 vepra, të realizuara në periudhën 2001 – 2015, pjesa më e madhe e të cilave të  realizuara nga artisti për këtë ekspozitë. Punët janë në dy teknika: akrilik mbi kanavacë dhe kolazh.

Karakteristika themelore e tablove abstrakte të Hotit  është raporti që ai ka vendosur me ngjyrat e fuqishme në telajot e veprave të tij. Ai preferon tablo abstrakte dekorative, jo sipas skemave klasike, por që brenda tyre të ndjehet lëvizje, hapësirë dhe lojë e strukturave të njollave që ai krijon duke realizuar vepra me një fantazi jo të zakonshme.

 

Koleksioni i veprave  të kësaj ekspozite shpreh energji pozitive dhe komunikon lehtësisht me publikun e çdo moshe. Piktura abstrakte e Agron  Hotit  të kujton artin tradicional shqiptar, por shpesh edhe  mjeshtrat e mëdhenj të artit abstrakt botëror, duke i bërë tablotë e Hotit të veçanta, të papërsëritshme e me mjaft sens artistik.

 

Artisti ka krijuar disa cikle  si: Collage Monsieur  2009 – 2012, Astrato  2009 -20015, Cavalli, Citta diverse, Froud, Fumetti, Machine diverse,  Pagani. Ciklet e tij  të njohura si “Fumetti  HOTI”, kanë zënë vend në ekspozita të rëndësishme të hapura në Itali e jashtë saj.

Duke jetuar prej 14 vjetësh në Verona, në artin e Hotit ndjehet qartë ndikimi i  këtij qyteti dhe arti italian bashkëkohor të cilat ndërthuren estetikisht me memorien artistike që artisti ruan nga vendlindja. Tradita e artit të veshjeve popullore shqiptare me ngjyra  të fuqishme, ka ndikuar që ai të vlerësojë dhe përzgjedhë ngjyrat kryesore që kanë si një lidhje të padukshme, të kuqen e zjarrtë, blunë, të verdhën e plotë e me dritë, të gjelbrën dhe grinë me nuancat e saj të panumërta.

Ekspozita do të hapet në datën 15 korrik, ora 19:00 në GKA.

15-30 korrik 2015, GKA{:}