Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në takimin me Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri Z. Álvaro Renedo Zalba në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u diskutuan mundësitë për të forcuar bashkëpunimin tonë ekonomik dhe kulturor, si edhe u ndanë lajmet e mira nga suksesi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara – OBP që në kohë rekord po ndërton standard të ri në prokurimin publik dhe fuqizimin e konkurrencës në treg, duke e njohur Ambasadorin edhe me zhvillimet mbi politikat e reja të administrimit të aseteve publike në funksion të investimeve me përfitim publik nga Korporata Shqiptare e Investimeve – AIC. Reformat dhe progresi për harmonizimin me EU, si dhe projektet e fushës së aftësimit profesional ishin pjesë e bisedës ku morrëm vlerësim për risitë dhe programet e MEKI-t.

 

Gjithashtu u diskutua për mundësi të tjera takimesh me profesionistë spanjollë, si një hap i mëtejshëm për të eksploruar projekte të reja bashkëpunimi në fushën e artit, kulturës dhe inovacionit. Ky bashkëpunim është një mundësi për të zhvilluar ekonomi kreative, të cilat kanë potencial të ndjeshëm për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.