Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Application Form Final

Application Form Final 

Fondi i Ministrisë së Kulturës për projektet do të mbështesë propozime të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre artin, kulturën dhe/ose trashëgiminë kulturore.

Ky fond shkon për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. Propozim-projektet e paraqitura duhet të zhvillohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se propozim-projektet e paraqitura gjatë vitit 2014 duhet të përfundojnë brenda muajit dhjetor të po këtij viti.

 

KUSH MUND TË APLIKOJË? 

Kush mund të aplikojë?

Mund të aplikojnë individë dhe organizata. Individi përfaqëson një person fizik, që mund të jetë: artist, kurator, shkrimtar, producent, promovues i artit dhe kulturës, si dhe të tjerë që kanë përfshirë artin dhe kulturën në veprimtarinë e tyre. Organizata përfaqëson një person juridik privat, si p.sh., shoqëri, shoqatë, fondacion etj.

A mund të aplikojë një individ ose një organizatë që nuk është subjekt i të drejtës shqiptare? 

Po, por vetëm nëse partneri kryesor (qoftë ky një individ apo një organizatë) është subjekt i të drejtës shqiptare.

Përveç një kopjeje të plotësuar të formularit, a duhet të paraqes dokumente të tjera? 

Po. Nëse po aplikoni si individ, lutemi të paraqitni një CV dhe një portofol të veprimtarisë tuaj (në rast se e keni një të tillë), si dhe një kopje të noterizuar të dokumentit tuaj të identifikimit, që mund të jetë karta e identitetit ose pasaporta. Nëse po aplikoni si organizatë, lutemi të paraqitni një CV të organizatës, një portofol të veprimtarisë së saj të deritanishme si dhe kopje të noterizuar të dokumentacionit që vërteton se organizata është e regjistruar konform legjislacionit në fuqi pranë institucioneve përkatëse.

Unë jam një student/e, a mund të aplikoj? 

Nuk financojmë studentët për aktivitete që lidhen me studimet e tyre ose me tarifat e studimeve të tyre.

Kush nuk mund të aplikojë?

Përjashtohen projekt-propozimet që synojnë mbështetjen e aktiviteteve kulturore të  partive politike, si dhe aplikimet nga personat juridikë publikë. Personat juridikë publikë përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose ente të tjera publike të parashikuara me ligj.

 

METODA E APLIKIMIT 

Si duhet të aplikoj? 

Shkarkoni formularin për “Thirrje për projekt-propozime”, të cilin mund ta gjeni më poshtë në formatin Microsoft Word ose në formatin ODF, e më pas plotësojeni atë “offline”. Formularin e plotësuar duhet ta dërgoni tek adresa e e-mail-it: projekte@kultura.gov.al

SHKARKONI FORMULARIN NE FORMATIN MICROSOFT WORD (docx)

SHKARKONI FORMULARIN NE FORMATIN OPEN DOCUMENT (ODF)

Në të dyja rastet është e detyrueshme të dorëzohet edhe një kopje e printuar e formularit të plotësuar së bashku me dokumentacionin përkatës pranë Zyrës së Protokollit të Ministrisë së Kulturës. Këtë mund ta bëni dorazi ose nëpërmjet shërbimit postar. Adresa është e njëjtë

Ministria e Kulturës

Rruga e Kavajës

Tiranë Shqipëri

Kutia postare 1001

Sipër zarfit të shënohet : Drejtuar Zyrës së Protokollit/Aplikim për Projekte.

Në raste specifike mund t’ju kërkohet informacion/dokumentacion shtesë. Nga ana tjetër, nuk do të marrim në konsideratë asnjë informacion/dokumentacion shtesë që nuk ju është kërkuar. Vini re se në rastin kur aplikuesi është një organizatë, formulari duhet të mbajë firmën dhe vulën e organizatës.

Kur mund të aplikoj? 

Për vitin 2014, kërkesat për fonde dhe mbështetje nëpërmjet “Thirrjes për projekt-propozime” do të zhvillohen dy herë në vit. Faza e parë fillon në datën 15 janar dhe mbyllet në datën 14 shkurt.  Kur të caktoni datën në të cilën fillon aktiviteti juaj, mos harroni të merrni parasysh jo vetëm kohëzgjatjen e “Thirrjes për projekt-propozime”, por edhe kohëzgjatjen e procesit të vlerësimit të projekt-propozimeve të paraqitura, si dhe periudhën midis shpalljes së fituesve dhe lidhjes së kontratës midis tyre dhe Ministrisë së Kulturës. Nëse aplikoni gjatë fazës së parë të “Thirrjes për projekt-propozime” në vitin 2014, që mbyllet në datën 14 shkurt, sigurohuni që aktiviteti juaj nuk fillon para datës 24 mars duke qenë se procesi i vlerësimit mbyllet midis datës 28 shkurt dhe datës 14 mars dhe kontratat me fituesit lidhen midis datës 10 mars dhe datës 24 mars.

Sa kohë duhet për marrjen e vendimit?

Duhen 2 deri në 4 javë për marrjen e një vendimi, p.sh., “Thirrja për projekt-propozime” në dimrin e vitit 2014 mbyllet në datën 14 shkurt dhe vendimet merren midis datës 28 shkurt dhe 14 mars.

Cila është shuma për të cilën mund të aplikoj? 

Shuma për të cilën një individ mund të aplikojë shkon nga 100,000.00 deri në 500,000.00 lekë. Shuma për të cilën një organizatë mund të aplikojë shkon nga 100,000.00 deri në 2,000,000.00 lekë.

Kam nevojë për fonde nga partnerë dhe/ose donatorë të tjerë?

Po, të paktën 10% të fondeve që ju duhen për aktivitetin tuaj duhet t’i siguroni nga burime të tjera. Këto mund të përfshijnë  fonde nga organe publike, mbështetje në natyrë, grante nga  fondacione, një kontribut nga vetë ju ose organizata juaj etj. Partnerët dhe donatorët e tjerë duhet të deklarohen.

A mund të aplikoj për më tepër se një projekt gjatë të njëjtës fazë të “Thirrjes për projekt-propozime”? 

Jo, nuk mund të aplikoni për më tepër se një projekt gjatë të njëjtës fazë së “Thirrjes për projekt-propozime”. Po ashtu, nuk mund të aplikoni nëse nuk janë mbyllur procedurat në lidhje me një projekt të mëparshëm tuajin të financuar ose mbështetur nga MK.

Nëse aplikimi im nuk është i suksesshëm, a mund të aplikoj përsëri për të njëjtin propozim?

Po, mund të aplikoni përsëri në fazën pasuese të “Thirrjes për projekt-propozime”, p.sh. nëse aplikoni për fonde ose mbështetje gjatë fazës 15 janar – 14 shkurt në vitin 2014, faza pasuese e “Thirrjes për projekt-propozime” do të jetë në mes të vitit 2014. Sigurohuni që para se të dorëzoni një aplikim të dytë për të njëjtin propozim të keni bërë ndryshimet e nevojshme pasi e kemi të pamundur të vlerësojmë aplikime të përsëritura tek të cilat nuk janë zgjidhur problemet që u bënë shkak për refuzimin e tyre në fazën e parë.

Ku mund të kërkoj ndihmë në lidhje me aplikimin tim? 

Për informacione të përgjithshme, kontaktoni në:

E-mail: info_projekte@kultura.gov.al  

Tel: 04 2223077 (orari 12.00 – 16.00)

 

PËR ÇFARË MUND TË APLIKOJ?

Për çfarë lloj aktivitetesh mund të aplikoj? 

Financohet dhe mbështetet një gamë e gjerë aktivitetesh kulturore, që përfshijnë:  projekte dhe evente; prodhim artistik; hulumtim dhe zhvillim; zhvillim/zgjerim i audiencave; aktivitete edukuese; aktivitete që promovojnë trashëgiminë jomateriale; ngritje kapaciteti të  organizatave artistike e kulturore; vepra e projekte artistike e kulturore shëtitëse.

Aktiviteti im përfshin film ose video, a mund të aplikoj? 

Mbështeten vetëm ato aktivitete që përfshijnë film ose video në kuadër të punës së artistëve me imazhin lëvizës. Përjashtohen projektet filmike, të cilat mund të mbështeten prej Qendrës Kombëtare Kinematografike.

Si do të vlerësohen kërkesat për financim dhe/ose mbështetje për projekte pranë Ministrisë së Kulturës?

Çdo propozim kalon nëpër dy faza të vlerësimit:

  • vlerësimi i individit/organizatës;
  • vlerësimi i projekt-propozimit (formulari i propozimit).

 

Në procesin e vlerësimit të individit/organizatës që paraqet kërkesën do të merren parasysh: profili dhe reputacioni i individit/organizatës dhe kapaciteti zbatues/menaxhues i tij/saj; theksojmë se kriteret e mëposhtme nuk duhet të shkurajojnë organizata të reja, të cilat mund të përmbushin kriteret e tjera;

  • veprimtaria e deritanishme dëshmon se individi/organizata ka në objekt të veprimtarisë së tij/saj artin, kulturën dhe/ose trashëgiminë;
  • misioni i organizatës dhe objektivat e veprimtarisë së saj të deritanishme përputhen me politikat dhe strategjitë e Ministrisë së Kulturës;
  • individi/organizata ka përvoja të suksesshme me partnerë e donatorë të tjerë;
  • organizata ka treguar qëndrueshmëri dhe është rritur me kalimin e viteve;
  • individi/organizata ka kontribuar në fushën ku operon me produkte të rëndësishme;
  • individi/organizata ka kapacitetin në terma të burimeve njerëzore dhe ekspertizën teknike për të zbatuar/menaxhuar projektin.

 

Në procesin e vlerësimit të projekt-propozimit (formulari) do të merren parasysh:

  • projekti i propozuar ka në objekt të veprimtarisë së tij artin, kulturën dhe/ose trashëgiminë;
  • objektivat e projektit të propozuar përputhen me politikat dhe strategjitë e Ministrisë së Kulturës;
  • problematika e identifikuar është aktuale dhe argumentimi i nevojës për projektin e propozuar është bindës;
  • objektivat e projektit të propozuar përputhen me problematikën e identifikuar;
  • origjinaliteti i  projektit dhe cilësia e aktiviteteve të planifikuara;
  • aktivitetet e planifikuara përputhen me objektivat e projektit dhe hapat e zbatimit të projektit janë të qarta;
  • shpërndarja e resurseve dhe bashkërendimi i punës midis partnerëve janë efikas;
  • treguesit e përzgjedhur për matjen e rezultateve të aktiviteteve të planifikuara janë të përshtatshëm;
  • përpilimi i kostove financiare: kostot janë reale (çmimet janë të bazuara në referenca që aplikanti mund t’i argumentojë) dhe të justifikueshme (raporti kosto/rezultat është i pranueshëm);
  • niveli i bashkëpunimit me individë/organizata të tjera, si dhe bashkëfinancimi i projektit/kontribute nga palë të treta;
  • qëndrueshmëria e projektit: sa afatgjat është impakti i projekt-propozimit; nëse  projekt-propozimi paraqet mundësi për rritjen profesionale të individit/ngritjen e kapaciteteve të organizatës që aplikon, realizimin e projekteve të tjera në të njëjtën fushë ose adresimin e të njëjtës problematikë, zhvillimin e skenës artistike e kulturore në Shqipëri;
  • respektimi i të drejtës së autorit në të gjitha fazat – konceptim, hartim dhe zbatim – e projektit të propozuar.

 

Procesi i vlerësimit do të kryhet nga kolegjiumi i ngritur posaçërisht për këtë qëllim i përbërë nga nënpunës të nivelit të mesëm dhe të lartë si dhe drejtues të strukturave përgjegjëse që mbulojnë secilën nga gjinitë e artit.

Si duhet të veproj pasi kërkesa ime pranohet?

Nëse kërkesa juaj pranohet, 10 ditë pasi të jeni njoftuar për këtë, ju duhet të paraqiteni pranë Ministrisë së Kulturës për të proceduar me lidhjen e kontratës.{:}