Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Art House vazhdon aktivitetin me dy takime  me kuratorët Joa LJUNGBERG dhe Edi MUKA të mërkurën me datë 23 mars ora 18:00 dhe ora 19:00.

Ljungberg do t’i prezantojë publikut THE NEW HUMAN, një ekspozitë video që eksploron artistikisht gjendjen tonë njerëzore ndërsa projekton skenare imagjinare të së ardhmes.Në këtë projekt marrin pjesë artistë të ndryshëm si Ed Atkins, Harun Farocki, Isaac Julien, Helen Marten, Daria Martin, Ursula Mayer, Adrian Paci, Frances Stark, Hito Steyerl, SUPER-FLEX, Ryan Trecartin.

Muka në bisedën e tij “SI TË GATUAJMË – një bashkëbisedim mbi gatimin, ndershmërinë dhe një udhëzues për punëtorët e kulturës në Shqipëri” do të lidhë idenë e gatimit me atë të kurimit të ekspozitave.

Për këtë i lutemi të gjithë pjesëmarrësve në takim të mendojnë për një pjatë të cilën e kanë për zemër, të gjejnë recetën e saj me pak historik e ta sjellin ditën e bisedës apo të na e dërgojnë paraprakisht në adresën email <arthouseshkoder@gmail.com>

Joa LJUNGBERG është kuratore pranë Moderna Museet në Malmö-Suedi që nga Maji 2009. Ajo ka qenë kuratore për Agjensinë e Artit Publik në Suedi. Që nga viti 2014 është kuratore e ekspozitës në grup THE NEW HUMAN.

Të tjera ekspozita që kuruara nga Ljungberg janë Arcadian Bliss to Painted Exorcism with Pablo Picasso (2014), Rip Image me Tala Madani (2012), Plegaria Muda me Doris Salcedo (2011), The Girl, The Monster and the Goddess me Niki de Saint Phalle (2011), And Europe will Be Stunned me Yael Bartana (2010).

Ajo ka qenë kuratore e shumë projekteve artistike publike si në rastin e Fruit and Energy Farms in a Public Square me Marjetica Potrc dhe Stealth (2010); Traveling North me Franz Ackermann (2006) dhe For Karlstad me Jenny Holzer (2005).

Së bashku me Edi Mukën, në 2007 ka kuruar edicionin e katërt të Bienales së Artit Bashkëkohor në Göteborg, të titulluar “Rethinking Dissent” ndërsa në 2008 drejtoi Bienalen e Artit Bashkëkohor në Tiranë.

Edi MUKA është kurator dhe kritik arti. Ai ka qenë drejtor i Bienales së Tiranës, bashkëthemelues dhe kurator i Tirana Institute of Contemporary Art (TICA) si dhe kurator e drejtor artistik (së bashku me Joa Ljungberg) i Bienales së Artit Bashkëkohor në Göteborg.

Ai ka qenë drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë në vitin 1999 si dhe kurator i Galerisë Kombëtare të Arteve nga 2001-2006.

Edi Muka ka kuruar shumë ekspozita në Tiranë, Milano, Berlin, Stockholm, Tel Aviv, New York, nga ku mund të përmendim edhe ekspozitën e Pavionit Shqiptar në Bienalen e Venecias në vitin 1999. Ai shkruan vazhdimisht në revista dhe katalogë ndërkombëtarë të artit bashkëkohor si Perpjekja, PamorArt, FlashArt, Springerin, Camera Austria, Manifesta Journal, Frieze.

Ky aktivitet i Art House mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Informacion

23 mars 2016, ora 18:00- bisedë me Joa Ljungberg;

23 mars, ora 19.00- bisedë me kuratorin Edi Muka

Adresa : ART HOUSE, Rr. At Shtjefën Gjeçovi, 15 Shkodër

Kontakt: email <arthouseshkoder@gmail.com> tel. +355 69 430 3942{:}