Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

  • Motorsport

Industria e motorsportit ndikon në jetët e miliona njerëzve në mbarë botën, nga Kampionati Botëror i Formula 1 e deri në garat e kartingut për fëmijë. Kush nuk është i apasionuar apo i interesuar pas motorsportit, mbase nuk arrin ta perceptojë madhësinë e kësaj industrie. Një studim i fundit i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, mbi ndikimin social dhe ekonomik të motorsportit, tregon se të ardhurat e gjeneruara nga kjo industri në rang global arrijnë vlerën marramendëse të 250 miliard Euro. E thënë kjo me fjalë të tjera, nëse motorsporti do të ishte një Shtet, do të ishte Shteti i tretë më i pasur në botë.

Gjithashtu, studimi i FIA evidenton se kjo industri gjeneron 1.5 milion vende pune! Në këtë kontekst, Auto Moto Park nuk mund të konsiderohet vetëm si një pistë ku do të zhvillohen gara shpejtësie. Ajo do të jetë një motor ekonomik për të gjithë vendin, një realitet që do të sjellë zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të lidhur me industrinë automotive, dhe përtej saj, benefite të prekshme në një mori industrish të tjera, ku vlen të veçojmë turizmin dhe shërbimet. Patjetër që Automotopark nënkupton edhe një impakt të thellë social, veçanërisht për komunitetin lokal, në sajë të rritjes së punësimit, qoftë ky punësim direkt apo indirekt.

Në këndvështrimin teknik, Auto Moto Park do të marrë homologim të Gradës 1, që është homologimi i nivelit më të lartë nga FIA – Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, me pikësynimin e qartë të organizimit të një eventi të Formula 1 brenda vitit 2030. Ky objektiv është i arritshëm dhe do të vendosë Shqipërinë në hartën globale, përpara 1 miliard teleshikuesve që ndjekin këtë sport.

E pse jo, objektiv afatgjatë do të jetë patjetër edhe evidentimi, formimi dhe promovimi i talenteve të reja, me qëllim promovimin e një brezi të rinj pilotësh, të cilët do të garojnë nën flamurin shqiptar.

 

  • Siguri rrugore

Nuk ka dyshim se aksidentet rrugore kanë një ndikim shkatërrues mbi viktimat dhe familjet e tyre. Edhe pse shifrat e aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen kanë pësuar një rënie konstante në vendin tonë, ato mbeten një plagë sociale që duhet luftuar. Përtej dramës personale, aksidentet rrugore kanë edhe një kosto të rëndë ekonomike, e cila shkon shumë përtej kostos materiale apo mjekësore. Fatkeqësisht humbjet më të mëdha në jetë dhe dëmtime të rënda i përkasin grupmoshës nga 25-40 vjeç, e cila përbën edhe pjesën më produktive të forcës punëtore të një vendi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, impakti ekonomik i aksidenteve rrugore në vendet me të ardhura mesatare është sa 1,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në rastin e Shqipërisë kjo përkthehet në një kosto vjetore prej rreth 360 milion Euro!

Me qëllim përmirësimin e situatës së sigurisë në rrugë, Automoto Park do të përfshijë edhe qendrën e parë të trajnimit për sigurinë rrugore. Pikësynimi në këtë rast është realizimi i kurseve formuese të dedikuara për grupmosha dhe përdorues të ndryshëm të rrugës, qofshin këto drejtues amatorë apo profesionistë. Kështu synohet të arrihen rezultate të prekshme dhe afatgjata, jo vetëm në statistikat mbi aksidentet rrugore, por edhe në rritjen e kulturës së përdorimit të rrugës apo uljen e sjelljeve agresive në rrugë për mijëra udhëtarë në vend. Statistikat ndër vite nga qendra të ngjashme trajnimi janë tepër inkurajuese. Formimi në kurse të posaçme për sigurinë rrugore ul me:

  • 32% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente rrugore;
  • 59% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente rrugore me dëmtime;
  • 96% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente me pasoja fatale.