Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Më 13 janar 1963, plot 62 vite më parë, u vu në skenë baleti “Halili dhe Hajria”, produksioni i parë tërësisht shqiptar në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB).
Me muzikën e kompozitorit Tish Daija, baletmaestron Panajot Kanaçi dhe dirigjentin Mustafa Krantja, “Halili dhe Hajria” hapi siparin e baleteve të tjera kombëtare që do të pasonin në skenën e TKOBAP-së.
Interpretuesit e parë të këtij baleti ishin:
• Hajria: Ganimet Vendresha, Zoica Haxho
• Rushja: Zoica Haxho, Marialis Ktona
• Sokoli: Petrit Vorpsi, Agron Aliaj
• Musta: Miltiadh Papa, Gëzim Kaceli
• Shpendo plaku: Vilhelm Konjari, Ramazan Bogdani
• Selim Bajraktari: Estref Shaqiri, Petrit Vorpsi
• Bektash Aga: Agron Aliaj, Albert Janku
• Sulejman Pasha: Panajot Kanaçi, Sami Bakalli
• Tahir Beu: Engjëll Tershana, Luan Shtino
Më 12 dhjetor 1973, kjo vepër u luajt për herë të njëqind e pesëdhjetë.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe jashtë saj, “Halili dhe Hajria” është luajtur mbi 250 herë. Në turnetë e zhvilluara në Greqi, Itali, Turqi, Francë etj., kjo vepër ka korrur një sukses të padiskutueshëm. Në Francë, baleti u vu në skenë nga një trupë franceze dhe më pas në Prishtinë. Në të dyja rastet, baletmaestro ka qenë i madhi Panajot Kanaçi, i nderuar me titullin “Nder i Kombit”.