Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=3396]

 

 

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët  5 -vjeçare.  Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Kulturës në Tiranë nga ministrja Znj. Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministri kinez i kulturës Z. Ding Ëei.

Ministrja shqiptare e Kulturës, Znj.  Mirela Kumbaro u shpreh nga ana e saj se “Marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës dhe miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë po shndërrohen në projekte konkrete bashkëpunimi, jo vetëm në kulturë, por  edhe në fushën ekonomike, për të bërë të mundur tërheqjen e sa më shumë investimeve kineze në Shqipëri. Forcimi i këtyre marrëdhënieve është shprehje e vullnetit të dy qeverive tona, por edhe një angazhim i dy ministrave të kulturës. Këto marrëdhënie përkthehen sot në një instrument të rëndësishëm zhvillimi, që është nënshkrimi i këtij bashkëpunimi kulturor”.

I pranishëm, për të firmosur marrëveshjen, zëvendësministri kinez i Kulturës, u shpreh se njohja e dy vendeve bëhet më e thjeshtë duke bashkëpunuar në art dhe kulturë.

“Kultura dhe arti, janë mënyra më efektive për të kuptuar dhe njohur dy popujt tanë. Ndodhemi këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje bashkëpunimi 5- vjeçar të kulturës, e cila mbulon edhe fusha të tjera, si drama, filmi, artet pamore, etj.

Ministrja e Kulturës u shpreh se bashkëpunimet kulturore me Kinën  po zhvillohen edhe më tej në kuadër të nismës  16+1. Ajo kujtoi se “Një program i rëndësishëm në fushën e librit ka filluar midis dy qeverive midis dy vendeve me një mbështetje të rëndësishme financiare nga ana e qeverisë së Kinës për botimin e rreth 25 librave të përkthyer nga letërsia kineze në shqip dhe anasjelltas në bashkëpunim me shoqatën e botuesve. Rreth dy javë më parë një delegacion shqiptare me përfaqësues të  artit dhe kulturës ishte pjesëmarrës në forumin për menaxhim të artit në Pekin, ndërsa  sapo përfundoi pjesëmarrja shqiptare në forumin e librit në Budapest.”

Me anë të kësaj marrëveshje bashkëpunimi dy ministritë mbështesin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis institucioneve, organizatave profesionale dhe atyre jofitimprurëse në fushën e kulturës dhe artit, në shkëmbimin e përvojave më të mira dhe realizimin e politikave në të gjitha fushat dhe nivelet kulturore, për të nxitur  më tej ndërveprimin kulturor mes palëve. Marrëveshja qartëson  bashkëpunime dhe pjesëmarrje në festivale në fushat:  Teatër, film, kërcim, art pamor, muzikë, cirk dhe veprimtari të tjera kulturore.

Marrëveshja kulturore  do të shtrihet edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku të dy ministritë angazhohen për bashkëpunimin midis institucioneve shqiptare dhe kineze për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe do të inkurajojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin e ekspertëve në këtë fushë. Palët do të mbështesin shkëmbimin e ndërsjellë të përvojës, duke përfshirë shkëmbimin e specialistëve në fushën e restaurimit, ruajtjes, mbrojtjes dhe popullarizimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

 

Shkëmbim  informacioni  dhe zhvillim i bashkëpunimit  edhe në fushën e bibliotekave të dy vendeve, mbi bazën e nënshkrimit të një Marrëveshje midis Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës shtetërore të Kinës, duke mbështetur financimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta për reformimin e rrjetit të bibliotekave kombëtare, për sektorin administrativ dhe atë teknologjik veçanërisht  në mbrojtjen, ruajtjen dhe digjitalizimin e koleksioneve bibliotekare.

Në lidhje me shkëmbimin e përvojës në zbatimin e teknologjive të reja marrëveshja parashikon bashkëpunimin e institucioneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës Popullore Kineze, përgjegjëse për çështjet e identifikimit, dokumentimit, dhe digjitalizimit të pasurisë kulturore të vendeve respektive.

Ministria e Kulturës së republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës së Republikës Popullore të Kinës angazhohen për mbështetje të ngjarjeve kulturore që zhvillohen në kuadër të bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve  të  Evropës Qendrore dhe Lindore, në kuadër të nismës 16+1.

Nisma 16+1 u krijua në vitin 2013 ku 16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) ndërmorrën  një nismë bashkëpunimi me Kinën, për projekte të përbashkëta, përfshirë edhe kulturën.

Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe Kina kanë nivel të afërt zhvillimi dhe një potencial të madh bashkëpunimi. Shtimi i bashkëpunimit me vendet në Evropën Qendrore e Lindore pasqyron strategjinë e Kinës për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet evropiane.

Në muajin shtator, Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro do të vizitojë Republikën Popullore të Kinës.{:}