Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Gazetari i njohur Fatos Baxhaku në bashkëpunim me shtëpinë botuese ”Dituria” sjell në shqip librin ”Çadra e kuqe. Histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX-XXI”.

Autori i librit Fatos Baxhaku ndër të tjera u shpreh se “Ky libër është produkt i historive të njerëzve që në thelb na mësojnë se si në botën e globalizmi, internetit, egoizmit kemi filluar të mos të dimë të duam më, dhe pikërisht vlera e këtij libri është kjo, që na mëson të duam”.

Botimin e këtij libri e përshëndeti, gjatë aktivitetit të sotëm, edhe Ministria e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi e cila ndër të tjera shtoi se ”ky është një libër ku e gjen veten të përfshirë emocionalisht në çdo çast. Sot, falë këtyre historive ”të gabuara” kemi  një libër të vyer, në momentin e duhur dhe në kohën e duhur”.

“Çadra e kuqe” është për Fatos Baxhakun libri i pestë, por sipas tij, në kuptimin e historisë që ai përmban, është libri më i veçantë.

Libri është një kërkim disamujor, mes këtyre familjeve, në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme në Tiranë.
“Çadra e kuqe” përmban copëza lumturie jetëshkurtër, qeshje të dashuruarish ëndërronjës, drithërima të frikësuarish, fate të mbara e të mallkuara, hedhje kuturu në vorbullat e jetës, aventura pa shpjegim, jetë të shkurtra e të gjata, ditë të vezulluara dhe të errëta, njësoj sikurse është vetë jeta. Megjithatë, autori shpreh dëshirën që ky libër të lexohet nga sa më shumë njerëz. Ai, kush e di se përse, ka një bindje të fshehur se duke lexuar këto radhë, mirësie, por edhe marrëzie njëkohësisht, do të ndihmojmë që të gjithë të bëhemi disi më të afërt e më të kuptueshëm me njëri-tjetrin.{:}