Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6420]

Berlini priti ministrat e kulturës së rajonit në dialogun kulturor ´´Politika multikulturore-formësuese aktive e politikës dhe krijuese e së ardhmes´´, podium i iniciuar nga Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në këtë dialog kulturor së bashku me përfaqësues të lartë të politikës dhe kulturës nga Evropa, kryesisht nga Evropa Juglindore. Ky dialog kulturor që vjen vetëm pas takimit të Samitit të Berlinit u mbajt të martën, datë 4.11.2014  në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, me prezencën e ministrit Steinmeier, në kuadër të takimit të rrjetit evropian të përkthimit Traduki.
´´Përkthimi dhe diplomacia mbeten më të nevojshme se kurrë sot, kur Evropën e kërcënon një distancë dhe memecëri e re për shkak të krizës së Ukrainës´´- u shprej ministri Steinmeier në fjalën e tij përshëndetëse.
Në takimin mes ministres Kumbaro dhe ministrit Steinmeier u diskutua për rolin e kulturës dhe diplomacisë dhe klimën në Evropën Juglindore, ku njerëzit po ecin drejt Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi hapat e bërë nga qeveria shqiptare në të dyja drejtimet dhe tregoi interes për të mbështetur takimin e radhës së Tradukit, që do të mbahet në pranverën e ardhshme në Tiranë.
Tejkalimi i dialogut politik ka për bazë fjalën dhe muzikën-drejtoi panelin gazetari, publicisti dhe autori  i njohur, Richard Sëartz.

´´Është pikërisht momenti të kuptojmë se roli i Kulturës bëhet i jashtëzakonshëm, kur pranojmë faktin që kultura nuk është luks që ia lejojmë vetes pasi kemi zgjidhur problemet sociale. Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të qarkullojmë lirisht pa pasur nevojë për lejekalim, ku në vend  që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord´´- u shpreh në fjalën e saj ministrja Kumbaro.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së ministres Kumbaro ishte raporti mes pushtetit dhe kulturës. Mes të tjerash ajo u shpreh se ´´Kultura luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpunimin e mendjes me qëllim që të hapë mendjen drejt botës, për ta bërë të lirë dhe të çliruar. Vetëm me këtë kusht mund të rikrijojmë të ardhmen e kontinentit tonë pa pengesa duke respektuar kufijtë e vendeve. Kultura ka fuqinë ti kthejë njerëzit nga vëzhgues pasivë në aktivë, sepse ajo arrin ti prekë emocionalisht´´.
Në këtë sofër dialogu merrnin pjesë ministri i kulturës së Serbisë, Ivan Tasovac, ministrja e kulturës së Kroacisë, Andrea Zlatar Violic, Michael Schafer, kryetar i bordit të Fondacionit BMË Herbert Quandt dhe Andresas Meitzner, i Ngarkuari për Politikën e Jashtme kulturore në Ministrinë e Jashtme gjermane, Liechtensteini me ambasadorin Prinz Stefan von und zu Liechtenstein, ish-ministri i jashtëm dhe i kulturës, Andrei Plesu.
Pjesëmarrësit në panel verësuan pozitivisht programin dhe platformën kulturorë, ngritur nga rrjeti Traduki si shembull pozitiv i këmbimeve letrare dhe kulturore. ´´Urë komunikimi e cilësoi ministri Tasovac, njësoj si ura e Ivo Andricit´´. Për ministren Kumbaro rëndësia e takimit qëndron në faktin se:
´´Është një rast i veçantë që ndodhemi rreth kësaj tryeze, me përvoja të ndryshme, por me histori të përbashkëta, me kufij të dallueshëm, por me kultura që këndojnë këngë të ngjashme. Përpara se të identifikojmë tjetrin pranë nesh, duhet ti drejtohemi tjetrit brenda nesh. Ta gjejmë dhe ta pranojmë, është dicka që i bën mirë individit, shoqërisë´´ duke kujtuar tolerancën, që është themel i kulturës.
Ministrja kroate Violic e cilësoi Tradukin si një polifoni, ku askush nuk ndihet i detyruar të bëhet si tjetri, por të gjithë kanë të drejtën të jenë të ndryshëm.

Në raportin mes politikës dhe kulturës, ministrat shprehën mendimet e tyre në lidhje me nevojën e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit, duke shprehur se kultura mbetet e rëndësishme në ndërtimin e  dialogut mes njëri-tjetrit. ´´Ekziston një Evropë që ka frikë, sidomos në periudha vështirësish ekonomike. Do doja ti thoja Evropës që druhet,  të mos frikësohet nga vendet e reja që afrohen, sepse nuk janë të rinj, përkundrazi, nga ana kulturore, janë po aq të vjetër sa vendet që krijuan Evropën e bashkuar´´.
Ministri Steinmeier vlerësoi gjithashtu në fjalën e tij përshëndetëse afërsinë e re midis fqinjëve, dikur në armiqësi mes njëri-tjetrit.
´´100 vjet pas të shtënave të Sarajevës, 15 vjet pas luftës së Kosovës, ky takim është më tepër se  një rreze e vogël drite´´.
´´Ju ftoj të vini në Shqipëri dhe ta njihni, do të gjeni gjithçka, njerëzit dhe ngjyrat, detin dhe malin, çmenduritë dhe urtësitë, buzëqeshjen dhe forcën´´- përfundoi fjalën e saj ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro.
Në takimin e rrjetit letrar evropian Traduki u përshëndet aderimi i Serbisë, si anëtari më i ri dhe u nënshkrua marrëveshja e Tradukit për vitet 2015-2016.{:}