Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Pavarësisht situatës pandemike, që kufizon shërbimin të librave tek përdoruesit, Biblioteka Kombëtare hapet për lexuesin në rrugë digjitale. Përmes një faqeje të re on line, BKSH ofron mbi 265 mijë faqe të digjituara: dorëshkrime, harta, antikuare, libra.

E mbështetur nga qeveria shqiptare, falë bashkëpunimit me AKSHI-n, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vjen në vitin jubilar të kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të saj me një sistem të ri të integruar bibliotekar, realizuar për herë të parë në Shqipëri nga një kompani shqiptare.

Bazuar në standardet ndërkombëtare të ndërtimit të sistemeve bibliotekare, sistemi mundëson integrimin e BKSh-së në rrjetin global të informacionit profesional për sistemin kombëtar bibliotekar.

Përdoruesve të grupmoshave të ndryshme, brenda apo jashtë vendit, u ofrohet tanimë një faqe e re, lehtësisht e përdorshme, me rubrika të reja, me fusha dhe funksionalitete të shtuara, e qasshme për cilindo, nga kudo e në çdo kohë.

Përmes sistemit të ri online mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh vijnë për lexuesit/përdoruesit, studiuesit shqiptarë e të huaj, studentët e pedagogët, si materiale të digjituara të shfletueshme e me mundësinë e kërkimit në tekst, dhe jo vetëm, duke përbërë një vlerë të shtuar edhe për punën kërkimore – shkencore.

Përmes Bibliotekës Digjitale e-Albanica, – një mundësi qasjeje gjithnjë e më madhe në trashëgiminë e shkruar kombëtare kulturore e më gjerë, përtej mureve të bibliotekës, – shfletohen:

 

  • 154 libra (1873- 1944);
  • 127 koleksione revistash retrospektive shqipe, kryesisht me karakter kulturor (1883-1944);
  • 123 antikuarë (1473-1800);
  • 178 dorëshkrime (1106-1945);
  • 78 harta (1560-1800).

 {:}