Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Një udhëtim muzikor në vendin e Cervantes-it / 
Un viaje musical en el país de Cervantes
Durrës, 1 -7 gusht 2015”

Nis në Durrës Bienalja –Netët e Muzikës Klasike, një aktivitet i mirëpritur në qytetin bregdetar, ku që nga vitit 2003, ideatori i kësaj ngjarjeje muzikore, violinisti me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi ka afirmuar programe instrumentistësh virtuozë dhe mbrëmje të nivelit të lartë profesional.

Sivjet, së bashku me muzikantin dhe kompozitorin e mirënjohu Haig Zacharian bienalja do të shtegtojë në viset e Servantes-it, me temën “ESPAÑA”.

Artisti Florian Vlashi rrëmon në tingujt e përbashkët mes Spanjës dhe Durrësit, ata tinguj që sollën rrëfimin muzikor që ai e quan -Spanja, një histori dashurie-.

“Para disa kohësh, në bar El Preludio në breg të oqeanit në La Coruña, lexoj në shtyp një lajm që më bëri të mendohem: në bregun e Durrësit ish zbuluar një anije spanjolle e mbytur në ato ujëra rreth… 1700 vjet më parë. Ajo anije e zbuluar nga arkeologu nënujor Adrian Anastasi, sipas gazetës El País,”transportonte mallra me shumë vlerë e të zgjedhura me kujdes (verra, vajra etj.) për të kënaqur shijen e hollë të aristokracisë së kohës”.

Pra, 17 shekuj më parë…Nuk e dija që lidhjet me Spanjën ishin kaq të hershme. Dija mbi lidhjet e ngushta të Skënderbeut me Fernando I të Napolit, principata e mbretëris së Aragonit e cila, pas vdekjes së Skënderbeut, mori në mbrojtje familjen e tij. Drejtori i Institutit Cervantes, pas një koncertit tim në Napoli, më foli gjatë për këtë lidhje dhe, ndërsa ai tregonte detaje pafund për Kastriotët, unë ndjehesha sa i paditur aq dhe krenar; Dija gjithashtu që i madhi Cervantes kish qenë rob i një pirati shqiptar me emrin Arnaut Mami për pesë vjet rresht, megjithëse ky fakt nuk ishte dhe aq për t´u krenuar. Pas lirimit, Cervantesi shkruan El Quijote, librin më të mirë të historisë me të cilin fillon letërsia moderne. Nuk e di a ka ndonjë lidhje mes njohjes me piratin shqiptar e krijimit të personazhit të Don Kishotit?…; Dija që Don Kishotin e sjell në Shqipëri një peshkop i ditur, Fan Noli, tre shekuj më pas. Kalorësi i marrë magjeps shqiptarët me fantazmagorinë e tij, “ky delir i mrekullueshëm që ka të bëjë me lirinë” siç do shkruante Kadare për të. Më pas hyri Arti i madh spanjoll me librat mbi Goya -n e me albumet e Velasquez, Murrillo, El Greco ndersa gjenite e Artit Modern si Picasso, Miró apo Dalí duhej t´i shfletonim fshahurazi gjatë viteve të diktaturës gjë që ia shtonte akoma më shumë joshjen magjike. Në këtë rradhë, muzika spanjolle ishte e fundit që hyri në Shqipëri.

E gjitha kjo ngjan me një histori dashurie e cila fillon me vera, vazhdon me princër, rrëmbime, delire, fshehtësi, për të përfunduar në pasionin shfrenues të një Fandango…Dhe në po atë breg deti ku njerëzit shquheshin për “shijet e holla aristokratike”.

Në fakt, Durrësi është qyteti shqiptar ku më shumë është luajtur muzika spanjolle dhe, nga ana tjetër, nga ku më shumë instrumentistë, kompozitorë e artistë, janë përfaqësuar në Spanjë.
Nëse dikush do më pyesë “Pse Durrësi?” unë do përgjigjesha se ishin “Netët e Muzikës Klasike” ato që krijuan këtë urë tingujsh me Spanjën. Por, diku brënda meje, ndiej se kjo ka qenë ndoshta edhe një lidhje tjetër, shumë më e vjetër, si “e shkruar” në amanetet e marinarëve të anijes së mbytur 1700 vjet më parë në bregun e Durrësit…”.

1-7 gusht 2015, Durrës{:}