Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Bledi Luzi, një “mjek” për pianot

 

Ai ndalet pak dhe mendon. I duket vetja si një kirurg. Janë 9600 detaje. Arterie pas arterieje, deri ku është problemi. Për Bledi Luzin, të gjitha rrugët të çojnë tek muzika. Bir i një violinisti, që ka studiuar për oboe dhe përveçse punon si instrumenstist profesionist në Orkestrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ka një pasion që lidhet me akordimin dhe riparimin e pianove. Në fillim ishte kureshtja e përzierë me trashëgiminë, që më vonë do të kthehej në pasion dhe zanat. Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension. Është pushteti i kërkimit dhe i muzikës.  Përmes një një interviste në “Sekrete mjeshtërie”, Bledi Luzi tregon të fshehtat e zanatit: momentet më të vështira dhe ato të bukura; “sëmundjet” e instrumentit dhe dëshira e shqiptarëve për të pasur në shtëpitë e tyre një instrument si pianoja.

 

Si jeni qasur me zanatin e akorduesit dhe riparuesit të pianove?

Kam kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve për degën: oboe. Prej 23 vitesh jam instrumentist në Orketrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar.

Është zanat i trashëguar apo ishte një moment, një notë e stonuar, që ju drejtoi tek ai?

Nuk mund të them se është i trashëguar plotësisht, por siç ju thashë edhe më parë, është një profesion pas të cilit u dashurova që në momentin e parë. Edhe im atë ka qenë violinist pranë Ansamblit të Ushtrisë dhe në mënyrë autodidakte është marrë me riparimin e intrumenteve, të violinës, violës… Instrumentistët e oboes, në përgjithësi, kanë qëlluar tepër kërkues, kureshtarë, që duan të provojnë, të hulumtojnë. Unë kam qenë kureshtar që fëmijë.

Cilat janë sekretet?

Sekretet janë disa, por të rëndësishme janë përqëndrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura, por është shumë e veçantë dhe e bukur.

Për këtë nuk ka një shkollë…

Për këtë profesion në Shqipëri nuk ka, ndërsa në botë po. Të mësosh më shumë varet nga dëshira dhe pasioni i njerëzve, që merren me të. Sot, në kohët e zhvillimit të teknologjisë, gjithçka është e mundur. Ke mundësi të komunikosh dhe të konsultohesh me kolegë jashtë vendit për çdo lloj problemi apo të mësosh mbi të rejat e fundit.

Problematikat që mund të ketë një instrument mund të jenë të pafundme, në varësi edhe të llojit, markës.. apo jo?

Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj.  Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi, që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën.

Cila është “sëmundja” më e përhapur te pianot dhe me çfarë lidhet?

Lidhen shumë me ambientin ku mbahen, me temperaturën, lagështirën.. që janë armiqtë kryesorë. Pianoja si çdo gjë tjetër ka nevojë për mirëmbajtje. Për të qenë i sinqertë, kultura e mirëmbajtjes është shumë e ulët, në një kohë që është prioritare. Në momentin që ti merr një piano, ajo bëhet si pjesë e shtëpisë dhe ka nevojë të mirëmbahet. Me kalimin e kohës ka nevojë për zëvendësime, riparime, kontrolle teknike.

Cili është momenti më “dramatik” dhe më i bukur gjatë punës suaj?

Nuk mund të them se ka shumë momente “dramatike”, pasi me impenjim dhe përkushtim, i gjendet zgjidhja çdo lloj defekti. Do veçoja atë momentin kur e gjen defektin, e riparon dhe çdo gjë del perfekt, lumturia është e papërshkrueshme. Është zanat i lodhshëm, pasi kërkon një punë shumë të imët, kërkon kohë pa limit, duhet të bësh kërkime, hulumtime mbi markën, kontekstin etj., por shumë e bukur, që të jep një kënaqësi shumë të madhe, sidomos kur arrin të shohësh përfundimin dhe të bësh krahasimin mes asaj që ishte dhe që është. Po edhe më pas, kur merr edhe falenderimet e të zotit. Shpesh herë na ka ndodhur që instrumentisti të jetë në dilemë nëse duhet ta mbajë apo ta shesë pianon, të investojë për ta restauruar ose jo. Unë gjithnjë u them të mos nxitohen dhe këtë e bëj, jo për të pasur punë, por sepse ndarja me një instrument si pianoja është e dhimbshme dhe sot gjithçka është e mundshme për të sjellë një ndryshim rrënjësor tek një instrument.

Dikur një instrument të tillë mund ta kishin fare pak vetë në shtëpi, sot a gjejmë më shumë të tilla në shtëpitë e shqiptarëve?

Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta.. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët, por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

Cilat janë markat më të përhapura?

Përpara viteve ’90 gjeje më së shumti pianon çeke “Petrof”, atë gjermane “August Forster”, kishte edhe piano kineze. Por mund të kishte edhe piano të vjetra të trashëguara nëpër shtëpi, të tipit “Hoffler”. Pas viteve ’90 pati prurje të markave nga më të ndryshme.

Ju trashëguat pasionin e babait, do t’ia trashëgoni dhe fëmijëve tuaj?

Me dëshirën më të madhe. Unë kam dy djem, të cilët kanë bërë kurse pianoje, jo për profesion, dhe të dy janë në hapat e duhur për vazhdimësinë e këtij zanati. Ata po e shohin edhe vet përkushtimin tim maksimal, përqëndrimin dhe transportimin në një botë tërësisht tjetër. Është si puna e një mjeku që duhet të bëjë ekzaminimet deri në qelizën e fundit, që të gjejë arsyen e sëmundjes. Dhe deri tani shoh që jo vetëm janë kuriozë, por edhe janë në hapat e duhur drejt këtij profesioni.

 

Bledi Luzi, akordues dhe riparues pianoje

 

 {:}