Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Me datë 21 Tetor 2015, ora 19.00, Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohëshme, ekspozitën “Black Box” të artistit Bujar Luca.
Artisti franko-shqiptar, krijimtaria e të cilit është e mirënjohur në disa vende të ndryshme të botës, ku veprat e tij janë koleksionuar në qytete të mëdha si: Paris, New York, Londër, Moskë, Bruksel hap për herë të parë ekspozitën vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Artisti vjen në GKA, për të “riatdhesuar” artin e tij, për të komunikuar dhe për të ndarë me publikun shqiptar atë ç`ka mundur të krijoj si një artist i cili ka jetuar nën diktaturën komuniste. Përms ekspozitës së tij në Tiranë ai do të tregojë atë çka mund të arrijë artisti i një vendi të Lindjes, kur krijon me kurajo dhe guxim, kur emocionalisht e udhëheq imagjinata, dija dhe talenti. Në këtë ekspozitë Luca prezantohet në teknikat:  miks në letër dhe miks në telajo.

Arkitekti i njohur francez Etienne Poncelet e ka cilësuar Bujar Lucën një artist të vërtet, kompetent dhe njeri të kulturës…, “një bashkëbisedues jashtëzakonisht interesant…” shprehet Poncelet.

Bujar Luca është ndër artistët bashkëkohor shqiptar, i cili me artin e tij lartëson cilësinë e prezantimeve tona ndaj një publiku të mirëinformuar dhe të edukuar me artin bashkëkohor.

Bujar Luca ka punuar në Kinostudio “Shqipëria e Re”, deri në vitin 1990, vit që shënon largimin e tij nga Shqipëria. Nga ajo kohë punon, krijon dhe jeton në Paris, vend të cilit i ka kushtuar me pasion energjitë më të mira krijuese. Luca ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nga fundi i viteve 70. Ka punuar mbi 20 filma si krijues kostumesh dhe skenograf gjatë 13 vitesh. Kjo eksperiencë dhe ajo e grumbulluar gjatë 25 viteve në Paris kanë formuar personalitetin e tij artistik.

21 tetor  – 15 nëntor 2015 , GKA
http://www.galeriakombetare.gov.al{:}