Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të nderuar miq, Ekselenca Juaj Ambasador Z. Fajzal, miq, zonja dhe zotërinj,

Sot Tirana bëhet një port pritje e në një botë kulturore që deri tani nuk kemi patur mundësinë e artë ta prekim nga kaq pranë e në mënyrë kaq të detajuar.

Për herë të parë në Shqipëri, krijohet një panair i plotë, një instalacion imersiv si ky ku ndodhemi sot, që na fton të zbulojmë thellësinë e kulturës saudite. Nuk është thjesht një ekspozitë apo një panair, por një udhëtim që na udhëheq nga traditat më të lashta te inovacionet më revolucionare të vizionit 2030 të Arabisë Saudite.

Vendet tona kaq larg në kilometra, por duket qartazi nga vizionet e përbashkëta për pesë-vjecarin e ardhshëm se janë pranë në synimet për zhvillim, për dialog, për shkëmbim kulturor dhe turizëm elitar.

Që prej vendosjes e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1992, kemi ndërtuar një partneritet që ka treguar potencial të madh për rritje dhe vitet e fundit e shohim të lulëzojë. Shkëmbimet tregtare dhe investimet saudite në Shqipëri janë rritur ndjeshëm, ndërsa mbi 50 kompani me kapital saudit operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, nga ndërtimi te turizmi.

Por këto nuk janë thjesht disa shifra mbi një letër, janë premtime që zgjerojnë horizontin tonë të përbashkët. Në shtator 2019, në Tiranë, Komiteti i Përbashkët Shqipëri–Arabi Saudite vendosi prioritetet: ekonomi, turizëm, kulturë, arsim, teknologji. Sot, kjo javë kulturore që organizohet për herë të parë, i jep jetë këtyre prioriteteve frymë në mënyrën më të bukur e të pasur të mundshme.

Arabia Saudite është duke ndërtuar një të ardhme ku tradita takohet me inovacionin dhe ne shohim drejt këtyre shembujve me frymëzim. AlUla, një vend me trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore dhe natyrore, një muze i gjallë, po transformohet në një destinacion kulturor global ku shkretëtira bëhet teatër i artit bashkëkohor. NEOM, qyteti 500 miliard dollarësh i së ardhmes, përfshin edhe ishullin Sindalah – një projekt 20 hektarësh që synon të tërheqë 2,400 vizitorë në ditë deri në 2028, i projektuar nga arkitekti italian Luca Dini. Interesante është se arkitektë ndërkombëtarë po punojnë gjithashtu për Tirana 2030, një masterplan që tregon lidhje të përbashkëta në vizionin arkitekturor.

Ndërkohë, AlUla Arts Festival po vendos skenën artistike të Arabisë Saudite në arenën ndërkombëtare, Jeddah shërben si një qendër e gjallë artistike në Detin e Kuq. Artistët janë optimistë ndërsa mbretëria ka hapur dyert e saj për kinematë, Cirque du Soleil dhe një plan ambicioz qendrash të reja arti, ku edhe artistë shqiptarë marrin pjesë në këto festivale dhe ekspozita ndërkombëtare.

Përtej bilancit ekonomik, është pikërisht kultura që na afron më shumë. Muzika, arti, letërsia, trashëgimia – janë gjuhë universale që flasin më shpejt dhe më fort se çdo marrëveshje.

Javët Kulturore janë pikërisht kjo: një laborator ku miqësia përkthehet në përvojë dhe shije të përbashkët. Ky instalacion imersiv është një nder, një kureshtje, një shtysë shumë e madhe për bashkëpunime të mëtejshme. Na jep mundësinë të lidhim marrëveshje me një vend që është ekspert dhe eksperimentues, po aq sa është rojtar i epur i traditës.

Turizmi është kapitulli tjetër i madh. Shqipëria, sot me mbi 10 milionë vizitorë në vit, është duke u bërë një destinacion i rëndësishëm mesdhetar ndaj dhe Arabia Saudite me Vision 2030, ku po investon miliarda për ta bërë turizmin një motor të ekonomisë së saj, vjen plot me shembuj suksesi për t’u ndjekur.

Uroj që bashkë skuadrat tona të mund të ndërtojmë ura të reja: nga projektet për restaurimin e monumenteve dhe muzeve, te festivalet kulturore, shkëmbimet artistike, programet për studentë dhe sipërmarrës të rinj. Mund të mësojmë nga përvoja e tyre në zhvillimin e projekteve kulturore mega-dimensionale dhe të ndajmë me ta bukurinë e trashëgimisë sonë.

Në emër të qeverisë shqiptare e Ministrisë së Kulturës– në rrugën e saj të tranzicionit midis portofolit të ekonomisë dhe inovacionit, në një ministri të re të kulturës, turizmit dhe sporteve – falënderoj Ambasadën e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë javë. Ambasada saudite ka organizuar gjatë viteve disa aktivitete të bukura kulturore në Tiranë, si Dita e Gjuhës Arabe me botime të përkthyera, apo edhe aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare të Leopardit Arab në bashkëpunim me Kopshtin Zoologjik të Tiranës, por Java që hapet sot është dicka e padëgjuar më pare, me jehonë të largët. E ardhmja jonë do të shkruhet me më shumë zhvillim, por edhe me më shumë shpirt. Dialogu që nisim këtu do të zgjerohet sa malet tona dhe thellohet sa deti i tyre.

Mirë se erdhët në Shqipëri. Mirë se erdhët në këtë udhëtim kulturor të përbashkët.

Faleminderit!