Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Së pari, dëshiroj të përshëndes të rinjtë që sot i bashkohen tregut të punës duke marrë një prej certifikatave më prestigjioze në tregun e arsimit profesional shqiptar, atë të Institutit Profesional ATC.

Së dyti dua të përshëndes themeluesit e këtij Instituti, mësuesit dhe profesionistët që janë bërë pjesë e një përpjekje kolosale për të shndërruar ATC-në në një prej qendrave elitare dhe më të rëndësishme të formimit profesional në Ballkanin Perëndimor.

Në anglisht ekziston një shprehje: “Jepi një njeriu një peshk, do të ushqehet një ditë. Mësoje të peshkojë, do të ushqehet përditë”.

Janë 3.500 të rinj në pesë vitet e fundit që kanë mësuar të “peshkojnë” këtu. 600 të tjerë i janë bashkuar në këtë vit shkollor. Për fat të mirë, jo për t’iu kushtuar peshkimit literalisht, por për të studiuar në 25 degët më të kërkuara të tregut.

Shqipëria ka sot nivelin e papunësisë më të ulët në historinë e saj. Me vetëm 10.7% në tremujorin e pare të 2024-s dhe së shpejti parashikohet të zbresim për herë të parë në histori në një papunësi me nivel njëshifror.

Reduktimi i vazhdueshëm i papunësisë është meritë e rritjes së qëndrueshme ekonomike, por edhe i përparësisë që i është dhënë arsimit profesional.

Kur e nisëm këtë rrugë, për modernizimin e arsimit profesional, Shqipëria ishte vendi me më shumë juristë për frymë në Europë.

Megjithatë, mjafton të ecësh nga selia e ITC në Zogun e Zi, deri tek ish-Sheshi Shqiponja, e nga të dyja anët e rrugës të gjithë sipërmarrjet kanë secili nga 1, deri në 10-20 vakanca pune.

Dhe me të gjithë respektin maksimal për juristët, asnjëri prej tyre nuk kërkon juristë. Ama të gjithë ata kërkojnë profesionistë të formimeve të kësaj shkolle.

Korrigjimi i atij gabimi strukturor të trashëguar në sistemin arsimor, që në mungesë të zgjedhjeve alternative dërgonte shumicën absolute të të rinjve për të studiuar në degët “me lekë”, ka kërkuar shumë punë dhe investime në vite nga qeveria jonë.

Por, tashmë jemi në pikën ku kemi ngritur një bazë të shëndoshë, mbi të cilën mund të kapitalizojmë më tej.

Jam i gëzuar të konstatoj se numri i studentëve të regjistruar në arsimin e mesëm profesional këtë vit është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.

Rreth 17 mijë studentë janë aktualisht të regjistruar në arsimin profesional, 1 në 5 të rinj. Dhe secili prej tyre, sipas statistikave, e ka më të lehtë të punësohet se bashkëmoshatarët e tij me arsim të lartë apo të mesëm.

Shembulli i AFC madje tregon se 75% punësohen ende pa përfunduar studimet, me 15% të tjerë që arrijnë të sigurojnë një vend pune brenda tre muajve të parë pas diplomimit.

Ambicja jonë për të ardhmen është edhe më e madhe. Siç me siguri do të binin dakord kuzhinjerët e pastiçierët mes jush, oreksi vërtet vjen duke ngrënë!

Ndaj, pas aplikimit me sukses të modelit dual në shumë nga shkollat e vendit, atij modeli shumë të suksesshëm të punësimit gjatë mësimit që ndiqet në këtë institucion, jemi në pikën kur në vitin shkollor 2024-25 ky model do të zgjerohet në të gjithë shkollat profesionale në vend.

Në këtë sipërmarrje, binjakëzimi me partnerë ndërkombëtarë në gjendje për të ofruar ekselencë në sistemin tonë arsimor është shumë i rëndësishëm.

Një binjakëzim i suksesshëm që do të nisë të aplikohet në këtë vit shkollor është ai i Shkollës së Hoteleri-Turizmit, me Shkollën e Hotelerisë së Lozanës.

Ky bashkëpunim strategjik i përgjigjet realitetit të një sektori turistik që ka gjithmonë edhe më shumë nevojë për manaxherë dhe profesionistë në të gjithë hallkat e zinxhirit.

Paralelisht, kemi rritur në mënyrë të vazhdueshme buxhetin e dedikuar për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit profesional.

Në projektbuxhetin 2025-27 do të përfshihen investime rekord për rehabilitimin dhe modernizimin e plotë të institucioneve arsimore, laboratëve, qendrave të formimit profesional, etj.

Këto janë investime të shtrira në të gjithë Shqipërinë, nga shkolla mekanike në Lushnje, tek Shkolla Bajram Curri në Kukës, në Pogradec, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Dibër, Korçë, etj.

E fundit, por jo për nga rëndësia, është projekti ynë për krijimin e Fondit Kombëtar të Arsimit Profesional, që do të jetë një portofol i dedikuar për të mbështetur më tej tranzicionit drejt arsimit profesional të së nesërmes.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, dua t’iu përgëzoj për ditën e parë si ish-studentë, e të parën si profesionistë në gjendje për t’i shërbyer vetes suaj, familjeve tuaja, komunitetit dhe të gjithë ne të tjerëve përmes dijeve të vyera që keni përvetësuar.

Faleminderit