Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kuadër të kremtimeve botërore të 750-vjetori të lindjes të Dante Alighierit, Biblioteka Kombëtare, Instituti Italian i Kulturës, Shoqata Dante Alighieri dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, organizojnë ditën e martë, ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare aktivitetin promovues, kulturor e shkencor, kushtuar marrëdhënies së veprës danteske me kulturën shqiptare, me titullin:  Dante i shqiptarëve.
Ky bashkëpunim shumëplanësh vjen përmes:
Ekspozitës së botimeve të Dantes në shqip – Ligjëratës së dantologut italian, Prof. Rino Caputo dhe Prezantimin e botimit të parë në Brajl në shqip të “Komedisë hyjnore”.
Në kulturën shqiptare kryevepra poetike e Dante Alighierit ze një vend të privilegjuar që shumë pak autorë të letërsive jo-kombëtare e jetojnë. Nga sprova e parë e përkthimit prej Luigji Lorekios në arbërisht, kanë kaluar vetëm 120 vjet, por tashmë Komedia Hyjnore gëzon disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premton ende. Guxim e joshje marramendëse, identifikim konceptual e rikrijim estetik, sprovat dhe orvatjet e pandërprera për ta përkthyer atë, për ta rrokur me gjuhë, me mend e me shpirt, përbëjnë një nga rrugëtimet më të plota në historinë tonë kulturore. Prandaj nuk habisin emrat e Poetëve tanë që lidhën përvojën e penës së tyre me të, që nga De Rada e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi e Martin Camaj, Ernest Koliqi e Arshi Pipa, deri te Kadare e At Zef Pllumi, për të shkëlqyer Dante, i papërsëritshëm në përkthimet e Pashk Gjeçit, në elegancën postume të Mark Ndojës, në fragmentet erudite të Nikollë Dakës. Janë përkthyes-poetë, të cilët, Ferrin simbolik të Dantes jo vetëm e përjetësuan në gjuhën shqipe, por edhe e jetuan çnjerëzisht burgjeve dhe kampeve të internimit komunist. Në këtë rrugëtim proliferik të Komedisë Hyjnore shqiptohej si një alegori thelbi intelektual e estetik i lirisë. Dantja shndërrohej në “ i pashmangshëm”. I tillë, edhe në këtë 750-vjetor të lindjes, Dante i të gjithëve, i shqiptarëve, i evropianëve, e përmes rrathëve të vizionit të tij universal, i mbarë njerëzimit.
Duke çmuar vlerën universale të Komedisë Hyjnore, Instituti Italian i Kulturës dhe Shoqata e të Verbërve të Italisë kanë kontribuuar financiarisht dhe në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë mundësuan botimin për herë të parë në shqip në alfabetin Brail (alfabeti i të verbërve) të kësaj vepër. Ajo vjen nën përkthimin mjeshtëror të Mark Ndojës, falë edhe kontributit të familjarëve të tij, të cilët e dhanë këtë përkthim në përdorim për të verbrit shqiptarë falas.
Rino Caputo është profesor i Letërsisë Italiane në Universitetin e Romës “Tor Vergata”. Ka botuar ese dhe libra mbi Dante-n, Petrarca-n, Manzoni-n dhe romantiçistin e parë italian Pirandello si dhe kritika letrare italiane dhe amerikanoveriore bashkëkohore. Është anëtar i Arcadia-s dhe Dante Society of America. Bashkëpunon me revista të mëdha të letërsisë italiane dhe është Bashkë-redaktor i revistës ndërkombëtare “Dante. International Journal of Dante Studies”.

13 tetor 2015, ora 11:00, Biblioteka Kombëtare
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 13 deri më 23 tetor
{:}