Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6380]

Në datën 12 nëntor 2014, në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së poetit Jeronim De Rada dhe vitit të DeRadian, Ministria e Kulturës përuroi në Akademinë e Shkencave veprën e plotë të tij në gjashtë volume, duke ruajtur fytyrën autentike të veprës.

Vepra e mbështetur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Kosovës, Universiteti i Kalabrisë dhe Fondacioni “Francesco Solano” është përgatitur nën drejtimin e prof. Francesco Altimari-t e prof. Matteo Mandala, me bashkëpunimin e Vincenzo Belmonte-s dhe Fiorela de Rosa.

“Ai shkoi..me hijen e shtëpisë në zemër” thotë De Rada, dhe Jeronimi kthehet falë gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Itali. Sot një vit më parë me Profesor Francesco Altimari dhe Profesor Matteo Mandala nga Universiteti i Kalabrisë na ngazëlleu ideja se monumenti më i vyer që mund të ngrinim në 200- vjetorin e lindjes së De Radës ishte botimi i plotë i veprës letrare të shkrimtarit tonë mbarëkombetar, Jeronim De Rada. E nisëm kalendarin e këtij viti nën shenjën e De Radës, me aktivitetet studentore, e kulmuam sot me promovimin e gjerdanit të gjashtë veprave, falë punës së profesorëve dhe përkthyesit e studiuesit, Gëzim Gurga. Kalendari do të vazhdojë me gjimnazistët dhe Milosaon e vitit 2014. Ministria e Kulturës botoi në 200 vjetorin e lindjes së autorit të Milosaos tirazhin e plotë të veprave letrare, që do t’u dhurohen bibliotekave shkencore dhe universitare të vendit, për lexuesit e të gjitha moshave. Filluam sot me Akademinë e Shkencave dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë. Ky projekt i përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Kosovës do të vazhdojë edhe në Prishtinë si gjerdan i vyer i kombit”- u shpreh Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e tij të hapjes Prof. Jorgo Bulo e ka quajtur këtë botim një ngjarje të vërtetë kulturore. Me këtë botim, De Rada “kthehet” te dheu mëmë, jo me një monument prej bronzi, që për fat të keq na mungon edhe sot, por me veprën monumentale poetike të këtij rapsodi gjenial të kombit, që me këtë vepër vuri themelet e letërsisë kombëtare të shqiptarëve. Themelimi i letërsisë kombëtare, vepër njëkohësisht kulturore dhe kombëtare, përqendrohet te dy burra: De Rada në Itali dhe Naimi Frashëri në vendin mëmë, thotë profesor Çabej. “Ka qenë kjo një nga arsyet që De Rada të jetë një autor i studiuar dhe i botuar jo pak pas luftës këtu, në Kosovë dhe tek arbëreshët, por asnjëherë integralisht në këto përmasa dhe me këtë nivel të saktësisë, autenticitetit dhe interpretimit filologjik të tekstit”, tha prof. Bulo.

Një nga përgatitësit e veprës së De Radës prof. Francesco Altimari vlerësoi mbështetjen e Ministres së Kulturës Znj. Kumbaro të cilës i njohu meritën e mbështetjes së nismave të shumta që u zhvilluan gjatë këtij viti jubilar. Botimi i veprës letrare të De Radës përfaqëson pikën më të lartë dhe rezultatin më të dukshëm të angazhimit të gjithanshëm të këtij viti, që Ministrja Kumbaro e pagëzoi zyrtarisht si “Viti Deradian” duke përfshirë në të studiues e institucione të të gjitha trevave shqiptare, në atdhe dhe në diasporë (Itali, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) për të kremtuar denjësisht 200 vjetorin e lindjes së Poetit të Madh. Prof. Francesco Altimari vlerësoi dhe punën e Z. Gëzim Gurga që përktheu në shqip pjesët italisht të çdo vëllimi.

Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro dhuroi veprën e plotë të De Radës, përfaqësueses së Bibliotekës së Akademisë së Shkencave znj. Floresha Dado dhe për Bibliotekën e Fakultetit Histori- Filologji, Shefes së Katedrës Znj. Dhurata Shehri.

Botimi i De Radës është shoqëruar në secilin volum të tij dhe me logo-n fituese të konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës me rastin e 200-vjetorit të tij të lindjes.

Ekzemplarët e veprës së poetit arbëresh Jeronim De Rada do t’iu dhurohen bibliotekave shkencore dhe universitare në mbarë vendin.{:}