Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të nderuar,

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Albania) dhe Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në dëgjesën publike mbi Planin e Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit.

Qëllimi i takimit është prezantimi dhe diskutimi së bashku me palët e interesit i temave të trajtuara në Planin e Menaxhimit të ish-Burgut të Spaçit, si ruajtja e këtij monumenti si vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, përqasjet për realizimin e muzeut të kujtesës, mekanizmat e organizimit dhe implementimit të një strukture të përshtatshme menaxhuese të sitit, etj.

Duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme, ka ardhur koha që Spaçi t’u kthehet qytetarëve shqiptarë dhe kjo dëgjesë do të paraqesë planin e menaxhimit, zbatimi i të cilit do të mundësojë ndryshimin dhe realizimin e vizionit për të ardhmen e Spaçit.

Mbi të gjitha, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 50 individë: ish të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie.

Dëgjesa do të zhvillohet në ambientet e Tirana International Hotel (salla Consortium) me datë 2 Maj ora 11:00.

Për t’u bërë pjesë e dëgjesës, nevojitet të regjistroheni në linkun e mëposhtëm.

https://forms.gle/yRzGtdwiMwPY5dtf6