Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Robert Papavrami, pedagogu i violinës i disa gjeneratave të artistëve shqiptarë, u nderua sot, nga Kryeministri Edi Rama, me medaljen e mirënjohjes, për kontributin e gjatë në artin shqiptar.

Në një pritje të organizuar enkas nga Kryeministri, në sallën e hartave, miq, familjarë, bashkëpunëtorë dhe ish -studentë të tij, ndanë kujtime dhe emocione, me ndjenjën e mirënjohjes për atë çka profesor Berti, siç ata e thërrasin, nënkupton për plejadat e instrumentistëve shqiptarë. Profesor Gjovalin Lazri, bashkëstudent dhe kolegë në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Roland Xhoxhi, ish-student, sollën kujtimet e tyre dhe u ndalën në kontributin e vyer të Papavramit, si një nga gurët e themelit të shkollës së violinës.

Një atmosferë shumë të ndjerë krijoi Kryeministri Rama, kur në përshëndetjen e tij, solli të ndërthurur pjesë nga letra që djali i Robert Papavramit, violinisti botëror Tedi Papavrami, i dedikonte me këtë rast, të atit, njëherësh mësuesi i parë i tij.

“Për një shqiptar shumë të veçantë, për një pedagog të jashtëzakonshëm,” me këtë kushtim, Kryeministri Rama i dorëzoi medaljen, profesor Papavramit.

“Një  emocion të tillë, në jetën time nuk e kam provuar kurrë,” u shpreh Robert Papavrami, teksa iu dorëzua medalja.

Pedagogu 80-vjeçar ndonëse nuk ka mundur të fshehë emocionet e tij përpara kryeministrit dhe të pranishmeve, i kaloi ato me batuta. Si mjeshtër i muzikës, Robert Papvrami la porositë e tij edhe për Liceun Artistik.

Ceremonia për dekorimin e profesorit të njohur të violinës Robert Papavrami u zhvillua në sallën e hartave në kryeministri.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vlerësoi faktin që kjo sallë është kthyer në vendin ku vlerësohet arti.{:}