Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kur zbret nga Kalaja, nuk ka se si këmbët të të mos ndalojnë përpara dyqanit te saj. Që nga dritarja e hapur kanatë, ajo të fton të hysh brenda. Nëse mendon se je i huaj, të përshëndet “Welcome”! Nuk ka problem nëse nuk do blesh asgjë, ajo vazhdon punën në vegjë e patrazuar, deri në momentin kur shpreh interes për ndonjë nga produktet që ka ekspozuar. Dëshira Maja ka një jetë që merret me endjen e qilimave. Thotë se e ka nisur që vajzë e re, pas një kursi profesional që organizonte shteti. Sot ka një biznes të sajin në Pazarin e Krujës. Qindra qilima, rrugica, mbulesa, torba, kanë dalë prej duarve të saj. Madje edhe sixhade shumëngjyrëshe, që ajo thotë se, fatkeqësisht nuk prodhohen më, dhe tradita po shuhet…

Tezgjahun e ka montuar në dyqan, që kushdo që hyn në të, të ketë mundësi ta shohë dhe ta kuptojë që puna që ajo bën, nuk është me hile dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me mallrat e ardhur nga Kina apo me fije sintetike. Ajo ngrihet menjëherë nga stoli ku është ulur për të na treguar diferencën. Teknika që ajo përdor është me fije nga të dyja anët, ngjyrat janë të njëjta dhe po aq të bukura nga të dyja faqet e qilimit dhe mund ta përdorësh si të duash, ndërsa ata të punuar në mënyrë teknologjike shtrohen vetëm nga njëra anë. Për të endur një rrugicë asaj i duhen 7 ditë durim. Endja është një punë individuale dhe gjithçka ajo e bën vetë, që nga sigurimi i lëndës së parë, leshit, majës (fija e ndërmjetme), tek thurja, deri sa ai bëhet gati për t’u shtruar.

Fijet që përdor Dëshira, janë lesh safi. Në këtë pikë ajo nuk bën lëshime. Puna për të nuk është vetëm biznes, por edhe kënaqësi dhe dëshiron që edhe klienti të mbetet i kënaqur dhe të kthehet sërish.

Ngjyrat që ajo përdor janë bazike: e kuqe, e zezë, e bardhë, e gjelbër… Edhe motivet janë tipike të zonës: me shqiponjë, që pëlqehet nga turistët, me dorë, madje janë futur edhe motivet me lule. “Më përpara prodhonim shumë. Punonim për eksport. Një herë na i sollën modelet nga Dubai”, thotë ajo.

Kur e pyet se çfarë skeme përdor për modelet, ajo gati të sheh me habi. “I mbaj mend”, thotë dhe nuk e fsheh dot të qeshurën përpara habisë sonë. Në 50 vjet ato modele është e gatshme t’i riprodhojë në çdo kohë. Ato që ne na duken si formula matematike, për të janë një frymëmarrje.

Nuk qahet se nuk ka punë, edhe pse konkurrenca është e fortë. Ajo ç’ka e shqetëson është pamundësia për të trashëguar traditën. “Kur isha 16 vjeç nëna vendosi të më mësojë zanatin, më pas bëra një kurs, kurse unë nuk kam kujt t’ia trashëgoj. Vajzat e reja nuk kanë interes për të mësuar, e kanë mendjen te celulari. Ndoshta, nëse shteti do të financojë për kurse, gjatë të cilit ato të mësojnë dhe të paguhen me një rrogë minimale, mundet që të tregohet interes. Në këtë mënyrë edhe tradita nuk humbet. Ja, e shikoni, kjo sixhade është e fundit që kam bërë. Askush nuk i prodhon më ato, sepse duan shumë punë”, thotë ajo, ndërsa vazhdon punën për endjen e një qilimi me motive. Ndërkaq, një tjetër klient i shfaqet në derë, i tërhequr nga ngjyrat e zjarrta të qilimave të saj, ekspozuar përpara dyqanit.

               

 

 {:}