Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Drama “Dikush që do të kujdeset për mua” është premiera e parë  për stinën artistike 2015-2016 në skenën e Teatrit Kombëtar.  Regjisorja Esmeralda Stafa sjell në skenën e teatrit veprën e autorit irlandez Franc McGuinnes, në interpretimin e aktorëve, Marin Orhanasi, Neritan Liçaj dhe Romir Zalla. Për regjisoren Esmeralda Stafa, vepra e shkruar nga Franc MC Guinnes pritet të sjellë në skenën e teatrit një situatë plot emocione.  Ndërsa vetëm pak ditë na ndajnë nga premiera që vjen në Teatrin Kombëtar, regjisorja premton  se “Kjo dramë e trajtuar në konceptim eksperimental Frojdian, zbërthen vetëdijen dhe pavetëdijen në mënyre globale dhe shfaq zhveshur fuqinë e instiktit të njeriut për shkatërrim (thanatos) dhe nevojën për dashuri (eros). Kjo dramë do të ketë në fokus marrëdhënien njerëzore, sesi e shkatërrojnë apo e mbështesim ne njëri-tjetrin. Në koncept trajtimi regjisorial e bën pjesë të saj dhe publikun. Ajo do të ketë trajtim realist dhe kontemporan, ku elementet e spektaklit dhe argëtimit për publikun do jenë magjike”, zbulon mbi shfaqjen në teatër regjisorja Esmeralda Stafa, e cila shton se kjo është ndër ato shfaqje, që do ta kthejë publikun ta shohë më tepër se një herë. Puna me këtë vepër nisi para dy vitesh. Vepra kumton se “Mungesa e dashurisë është impulsi i çdo instikti shkatërrimi”.  Një vepër që sjell mesazhet e refleksionit  për të gjithë publikun, për sa u përket marrëdhënies njerëzore dhe raporteve me njerëzit e dashur.
9 ,10, 11,12 dhe 13 shtator, TK, ora 19:00{:}