Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit na gjeti në godinën e Teatrit Kombëtar të Kukullave, dikur vendndodhja e Parlamentit Shqiptar. Monitoruam nga afër punimet që po vazhdojnë në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, me përfitues Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

I ndërtuar në vitin 1924, në ndërtesë fillimisht ishte menduar të vendosej Klubi i Oficerëve, por për shkak të mungesës së një hapësire alternative grumbullimi, aty u sistemua në vitin 1925 Parlamenti Shqiptar. Pas kryerjes së funksioneve të ndryshme ndër vite, në vitet ‘60, ndërtesa u vu në funksion të Teatrit Kombëtar të Kukullave, rol që do të vazhdojë ta kryejë edhe pas rikualifikimit të plotë, që pritet të përfundojë këtë shtator.
Ndërtesa po i nënshtrohet punimeve restauruese në kuadër të programit EU4Culture. Me përfundimin e punës, Teatri Kombëtar i Kukullave do të ketë përmirësime thelbësore në përputhje me standardet bashkëkohore, të ambienteve mbështetëse dhe të performancës audio-vizuale, si edhe me skenë dhe auditor multifunksional.