Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Durres-festivali dhoma

Qyteti antik i Durrësit mirëpret edicionin e nëntë të festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës. Koncertet e këtij edicioni do të zhvillohen në një nga galeritë e Amfiteatrit Romak të Durrësit, në datat 20-28 gusht 2014.

Festivali organizohet nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”, krijuar në vitin 2004 në Durrës me nismën e disa artistëve durrsakë. Festivali i muzikës së dhomës këtë vit do të mirëpresë koncertet e instrumentistëve si: Merita Rexha Tërshana, Ermir Abeshi, “Milano Chamber Orchestra”, Daniel Auner, Aristidh Prosi, Nevila Kalaja Herczegh, Konstantin Ilievsky, etj.

Një rëndësi e veçantë i është dhënë organizimit prej anëtarëve të kësaj shoqate, festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës, aktivitet që zhvillohet në qytetin e Durrësit që prej vitit 2006. Ky Festival krijon jo vetëm njohjen artistike të kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, Maqedonia, etj, por e plotëson këtë njohje edhe përmes shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.

Vit pas viti ky aktivitet ka plotësuar fizionominë e tij duke u bërë tashmë një aktivitet i mirëpritur nga publiku artdashës durrsak, por gjithashtu i njohur dhe i vlerësuar edhe përtej Shqipërisë.

Ky aktivitet artistik mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Amfiteatri i Durrësit, 20-28 gusht 2014{:}