Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=5562]

Ditën e mërkurë  më 6 maj u hap në Venecia  Pavijoni Shqiptar i Artit.  Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 56-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2015 me veprën “Trilogjia Shqiptare: Një Seri Stratagjemash të Tërthorta”, “Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems” e artisti Armando Lulaj,  me kurator Marco Scotinin.

Pavijoni u hap nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh mes të tjerash:

“Mirëseerdhët në hapësirën shqiptare të Lagunës! Jetojmë në dy brigje. Komunikojmë shpesh përmes klisheve e titujve të gazetave.
Bienalja ndërkombëtare e Venecias është rasti më i mirë për t’u njohur, falë urave të Artit, Kulturës dhe komunikimit bashkëkohor. Sot Shqipëria flet me punën e kuratorit të njohur Marco Scotini dhe artistit shqiptar Armando Lulaj, me “Trilogjinë shqiptare” që vjen me mesazhe politike dhe estetike, me metafora të fuqishme dhe imazhe të mirëfillta të një vendi me potenciale të mëdha.

Artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Për fat, por jo rastësisht, Shqipëria ka shumë prej tyre.
Është i dyti vit që Shqipëria vendoset në qendër të Arsenales në Bienale.
Pas suksesit të Pavijonit shqiptar në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienale 2014, me Edi Hilën dhe Adrian Pacin, kuruar nga Beyond Entropy, Ministria e Kulturës e kthen në sistem të qendrueshëm përfaqsimin dinjitoz dhe cilësor të Artit shqiptar me merita të plota në skenën më të madhe botërore të arteve pamore. Nuk është rastësi as fakti që sot Shqipëria ju fton në shumë takime njëherësh: në Pavijonin tonë në Expo-Milano, në Festivalin e Artit e Librit TiranaOpen dhe në këtë Ekspozitë të jashtëzakonshme të artit këtu në Venecia. Në të tri vendtakimet kultura flet shqip dhe kudo kjo shqipe kuptohet, shijohet, dëgjohet, përcillet dhe vlerësohet, falë artistëve tanë! Kjo është skena që po ndërtojmë për artin e kulturën!

Për Shqipërinë komunikimi me të gjitha mjetet shprehëse, hapja e kufijëve të mendjes dhe të shpirtit, zgjerimi i skenës përtej caqeve të Republikës, krijimi i hapësirave të realizimit artistik për artistët shqiptarë, është përparësi e politikës sonë kulturore. Investimi që bëjmë sot në art dhe kulturë është investimi më i sigurt për të ardhmen për zhvillim dhe qytetërimin e Shqipërisë së Brezit Tjetër.

Ftojmë të vizitoni Pavijonin Shqiptar, si një reflektim të përbashkët mbi jetët tona të ndryshme, por edhe si një kontakt të drejtëpërdrejtë me një vend të dëshirave të mëdha si Shqipëria”.

Kuratori Marco Scotini u shpreh se është i rëndësishëm fakti që për të parën herë Shqipëria prezantohet më një Pavijon qendror në Bienalen e Artit të Venecias, falë përpjekjes shumë të madhe të Ministrisë së Kulturës dhe vetë ministres Kumbaro.

 

Kjo vepër  përfaqëson përfundimin e një kërkimi shumë-vjeçar të artistit sa i përket periudhës së Luftës së Ftohtë në Shqipëri por edhe më gjerë, rolit të së kaluarës në të tashmen, kujtesës dhe eksperiencës historike – veçanërisht nëpërmjet arkivave, “trofeve” dhe “boshllëqeve” të së kaluarës. Vepra e parë në këtë cikël titullohet “It Wears as It Grows”, kurse e dyta është e mirënjohura “Never” – që është shfaqur në ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare. Vepra e tretë, “Recapitulation” u prodhua  posaçërisht për Bienalen e Venecias.

Pavijoni tërhoqi vizitorë të shumtë mes të cilëve koleksionstë shumë të njohur, si Ene Righi, një ndër mbështetësit e këtij Pavijoni, kritikë arti, drejtues muzesh dhe galerish të rëndësishme, gazetarë e aritstë, shqiptarë dhe të huaj.

Presidenti Paolo Baratti shprehet se “Është një Ekspozitë e Artit ku kthehet vemendja mes Artit dhe Zhvillimit social e politik boteror, duke parë sesi tensionet e kohës që jetojmë përkthehen në sensibilitetin, energjinë krijuese, ekspresivitetin dhe shpirtin e Artisteve” .

 

 

Pavijoni i Republikës së Shqipërisë mbikqyret nga Ministria e Kulturës dhe realizohet nga Ministria e Kulturës me mbështetjen e disa donatorëve dhe koleksionistëve privatë.

 

Komisar: Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë

Artist: Armando Lulaj

Kurator: Marco Scotini

Kohëzgjatja: 9 Maj 2015- 22 Nëntor 2015

Salla: Arsenale di Venezia

 

www.albanianpavilion.org{:}