Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ekspozita kushtuar dy figurave të shquara të jetës kulturore, politike, letrare e shoqërore të vendit dhe kolonive të tij në botë, Fan Noli dhe Faik Konica udhëton drejt Kosovës,  në aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Noli/Konica, album i një bashkëkohësie, organizuar nga BK, Tiranë, u hap në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Konicës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga 14 deri më 18 prill, do të organizojnë edicionin e trembëdhjetë të Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe do të organizohen veprimtari kulturore të veçanta në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në bibliotekat rajonale të Prizrenit, të Gjilanit dhe të Pejës, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet në Këndin Amerikan në Prishtinë e Prizren.
Në përbërje të këtyre aktiviteteve do të ketë ligjërata dhe sesione, në të cilat do të referojnë njohës dhe ekspertë të fushave të caktuar nga ShBA, Shqipëria e Kosova. Sipas njoftimit, një kontribut shkencor dhe përvojë të veçantë do të japin me ligjërata edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Temat që do të trajtohen lidhen me zhvillimin e mendimit profesional në fushën e shkencës së bibliotekarisë e të arkivimit të kulturës shkrimore e materiale, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në dijen për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e koleksioneve të rralla dhe të vjetra, si pjesë identitare e trashëgimisë kulturore e intelektuale të një vendi.
Aktivitete të tjera përfshijnë nënshkrime të marrëveshjeve me interes për bibliotekat, hapje të bibliotekave të reja në disa shkolla të Kosovës, donacione me materiale – libra e dorëshkrimeve, si dhe ekspozita të veçanta të librit e të fotografisë, që do të hapen nëpër këto qendra të Kosovës.

14-18 prill, Java e Bibliotekës në Kosovë{:}