Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Për herë të parë në mjediset e Parlamentit të Landit të NRW-së, kultura shqiptare prezantoi ekspozitën e pikturës dhe vizatimit, dëshmi historie dhe dëshmi e artit bashkëkohor shqiptar, ekspozitë e kuruar nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, me 43 punë të plota që përfaqësohen që nga Kol Idromeno, deri tek te Merita Selimi, e cila është ndër artistet më të reja pjesëmarrëse.

Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore merrnin pjesë personalitete të larta të politikës dhe kulturës, Presidentja e Parlamentit të Landit të NRW-së, znj. Carina Gödecke, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, Ministrja e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro, Ministri i Punës së Landit të NRË, z. Rainer Schmeltzer, Ministri i Diasporës së Kosovës, z. Valon Murati, ambasadori shqiptar në RFGJ, Artur Kuko,Konsullja e Nderit, znj. Anduena Stephan, artistë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj të hapjes së aktivitetit znj. Gödecke u shpreh se Shqipëria për shumë gjermanë “është një vend bosh në hartë”. Edhe pse marrëdhëniet gjermano-shqiptare dhe, në veçanti, marrëdhëniet me North Rhine-Westphalia janë në partneritet të ngushtë, ka “ende shumë vend për përmirësim”. Kështu, mund të ndërtojmë ura bashkëpunimi në kulturë.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro u shpreh se, gjuha e artit dhe kulturës është gjuha që lidh shqiptarët dhe gjermanët. Duke iu referuar deklaratës se Kryetares se Parlamentit të landit të NRW-së se Shqipëria, për shumë gjermanë është ende një “njollë e bardhë në hartë”, znj. Kumbaro theksoi se: “Ne kemi ardhur për të mbushur këtë vend të bardhë me ngjyra të ndritshme. Njolla e bardhë e moskuptimit mes kulturash na bën më shumë të angazhuar, të punojmë për kulturën dhe ta promovojme këtu, në zemër të Evropës, falë artistëve shqiptarë të talentuar. Besojme se ngjarje të tilla do të marrin udhë pas angazhimit kulturor të firmosur mes dy qeverive, vetëm, një ditë më parë, në Berlin”.

Kryetari i Parlamentit z.Meta u shpreh se për të ishte një kënaqësi dhe privilegj që me rastin festës kombëtare shqiptare te gjendej i ftuar në Parlamentin e landit të NRW.

Ekspozita me rastin e festës kombëtare shqiptare është pjesë e aktiviteteve të organizuara në këtë Land, nën moton “Nëntori shqiptar në landin e NRW”. Kjo ekspozitë titullohet: “Shqipëria përmes syve të brezit të artistëve 1912 – 2015”, e konceptuar në dy paralele, si art tradicional, një pasuri me një vlerë të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare dhe arti shqiptar që zhvillohet në ditët e sotme,

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e parlamentit të landit të NRW-se deri më 4 dhjetor 2015.

“Nëntori shqiptar” realizohet me nismën e Konsulles së Nderit Anduena Stephan dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës së Kosovës, Parlamentit të Landit të NRW .

Mbrëmja solli Gala Koncert me artistët e mirënjohur: Eda Zari, Dren Abazi& Zig Zag Orchester, balerinët e TKOB-së, Ervis Gega Trio.

Në vigjilje të festës kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, hapja e ekspozitës në Parlamentin e Landit të NRW-së ishte një ditë plot ngjyra për diplomacinë kulturore shqiptare në zemër të Evropës.

27 nëntor-4 dhjetor 2015, Parlamenti NRW, Gjermani{:}