Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes të shkrimtarit Kasëm Trebeshina, ditën e premte më datë 5 Gusht, çeli ekspozitën “Kasëm Trebeshina – 1926”, si një mesazh urimi në këtë përvjetor të lindjes së shkrimtarit. Kjo ekspozitë, e cila përmbledh krijimtarinë e botuar të Kasëm Trebeshinës si prozator, dramaturg, poet, eseist, etj., vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të botës së letrave shqipe. Kasëm Trebeshina botoi për herë të parë në vitin 1953 dramën historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe prezantohen për herë të parë për publikun. Me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj : bisedë në mbrëmje vonë”, shkruar në Ankara në vitin 1997, në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare.

Çdo ditë nga ora 8:00 – 20.00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 – 14.00{:}