Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Erli Gurra, një mjeshtër violinash në Tiranë

Ai ka mësuar të dëgjojë këngën e drurit. Askush nuk tingëllon njëlloj. Mosha, pjekuria, temperatura… Si do të mund të kthehej një copë dru panje apo bredhi në një violinë të përsosur? Një mijë sekrete fshihen pas një instrumenti, që kur e merr në dorë si një copë e zakonshme druri, deri në momentin kur ajo ngjitet në një skenë, në duart e instrumentistit. Erli Gurra është një nga ata mjeshtrit e këtyre sekreteve. Nëse do ta pyesje se si bëhet një violinë, ai nuk do të reshtte së foluri gjithë ditën. Fatmirësisht është një nga ata njerëz, që jo vetëm i njeh të fshehtat e zanatit, por edhe di ta shpjegojë më së miri atë.

Pa më të voglën mëdyshje, Erli na fton në vendin e tij të ‘mrekullive’. Na këshillon të mos ia vëmë veshin rrëmujës, por e vërteta është që “laboratori” i tij i vogël është i rregullt sa më s’ka. Vjen erë e mirë druri të sapopunuar. Të gjitha mjetet e punës janë të vendosura në radhë, në mur: dalta, lima, sharra… të përmasave të ndryshme. Mbi tavolinë zdrukth, morsë…., por edhe elementë violinash e violonçelësh, të cilët janë në proces.

Duhet të kenë edhe ato kohën e tyre të qetësisë.

Kushdo do të pyeste se ç’do një djalë i ri të merret me një punë të tillë, por Erli aq sa e ka zgjedhur profesionin, po aq është zgjedhur nga ky i fundit.

Për të, krijimi i instrumentave është një pasion i trashëguar. Babai, gjyshi, stërgjyshi janë marrë me restaurimin dhe realizimin e veglave muzikore. Të parët, me veglat popullore të kohës, ndërsa i ati e ngriti profesionin në veglat muzikore më bashkëkohore . U rrit me këtë ndjesi dhe ishte zgjedhja më natyrale të vazhdonte në të njëjtën udhë.

Por ai vendosi ta çonte më tej. Sot ai është “maestro liutaio”, që do të thotë krijues i instrumenteve me harqe.

“Në laboratorin e tim eti, instrumenti që më tërhiqte më shumë ishte violina. Gjithnjë isha kurioz se si ndërtohej një e tillë dhe sillesha përreth violinave të hapura, të thyera, që ishin për rregullim. Dhe isha 10 vjeç kur kam kryer punimet e para në një violinë. Aty kuptova se ç’ishte pasioni dhe pata fatin që pasioni mu kthye në profesion”, thotë Erli, i cili pasi kreu 5 vite studimesh në Cremona të Italisë në Shkollën e ndërtimit të instrumentave me harqe, do të ndiqte nga afër nëpër laboratorë, proceset e restaurimit dhe realizimit të instrumenteve, duke mësuar e “vjedhur” profesionin prej mjeshtërve italianë. Ishte aty ku do të shihte nga afër e do të prekte një violinë Stradivari, instrumentit mes mitit dhe të vërtetës. “Përveçse arriti të realizonte 1000 violina, edhe sot e kësaj dite është e mahnitshme se si ka arritur të realizojë instrumente të tillë, me vegla shumë herë më pak të sofistikuara se sot. Dhe ne ende vazhdojmë të kemi si synim t’i qasemi violinave të Stradivarit”.

Për të realizuar një violinë, Erlit i duhet një muaj kohë. Brenda vitit, edhe në varësi të kërkesave, mund të realizojë 7-8 të tilla. Nëse ka marrë porosi për një violonçel, puna kërkon më shumë kohë. E ka të vështirë të thotë se cili është ai më i lodhshmi, më delikati. Secili kërkon shumë durim, precizion. Që nga përzgjedhja e drurit, që si gjithçka vjen nga jashtë, gdhendja, realizimi i një objekti të bukur estetikisht, por mbi të gjitha nga ana akustike, e deri te vendosja e telave dhe ai momenti kur do të dëgjosh tingullin e parë. Precizioni duhet të jetë maksimal, luhet me të dhjetat e milimetrit… Nga një milimetër mund të varet tingulli i violinës dhe për këtë nuk duhet vetëm precizion, luftë nervash, por edhe një vesh i mirë muzike, në të kundërt do të ishte e pamundur të kapje tingullin e qashtër e të bukur. “Çdo copë druri ka reagime të ndryshme. Është zotësia e liutaio-s, që të kuptojë jo vetëm reagimin, por edhe kur duhet të ndalojë së punuari për të arritur tingullin e duhur”.

Tani është duke realizuar violinën e 52-të dhe 90% e tyre ka udhëtuar jashtë shtetit. “Për instrumentistët shqiptarë është shumë e vështirë të ketë një violinë-autor. Në një kohë që është kaq e rëndësishme që të kesh një të tillë, që të jep mundësi të shprehesh. Janë shumë të paktë dhe më së shumti puna këtu kufizohet në riparime. Tregu im është jashtë shtetit”, thotë ai.

Ndërsa numëron 52 instrumente të realizuara, ai kujton si sot violinën e parë që ka realizuar. Kjo, jo sepse nuk ka pranuar ta shesë, por e ka blerë atë. “Violinën e parë ia kam dhuruar prindërve të mi. E kam realizuar në shkollë, ia kam blerë shkollës dhe ia dhurova atyre dhe herë pas here e shoh, jo thjesht për nostalgji, por edhe për të bërë krahasime të punës sime”, thotë Erli.

Me siguri, nuk është vetëm kaq. Aty është mbrujtur gjithë trashëgimia e brezave, dashuria për profesionin, pasioni, orët e gjata të punës dhe të pritjes, emocioni i të parit instrument të realizuar me duart e veta…. Për bilance, është ende herët. A do të arrijë 1000 violinat e Stradivarit?!