Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Eros Dibra Dyseldorf Gjermani 

Në muajin nëntor 2015 Ministrja e Kulturës, znj. Mirela  Kumbaro dhe Sekretari i shtetit federal të punëve të jashtme, z. Stephan Steinlein, nënshkruan në Berlin marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor Shqipëri –Gjermani,  e cila, parashikon shkëmbimin e njohurive mbi artin, letërsinë, gjuhën, kulturën, etj.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, takime të mëtejshme të Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro me Sekretarin e Shtetit  të Landit NRW, z. Bernd Neuendorf në Düsseldorf  krijuan fillimin e partneriteve  më të ngushta  me North Rhine-Westphalia kryefjalë e të cilave ishte “mundësia e ndërtimit të urave të bashkëpunimit në kulturë mes dy vendeve”.

Programi “Artist in Rezidence” Düsseldorf, është hapi i parë i këtij bashkëpunimi.

Eros Dibra është artisti i përzgjedhur shqiptar, që do të qëndrojë në residence në periudhën  kohore 1 shkurt – 31 mars 2016.

Ky program mirëpret artistin shqiptar në vitin e parë të këtij bashkëpunimi, që synon krijimin e hapësirave bashkëvepruese midis artistëve të rinj, në fushën e arteve pamore, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme mes vendeve respektive.

Përzgjedhja është kryer nga një Juri e ngritur në Düsseldorf, ndërmjet 18 artistëve, propozuar nga përfaqësia diplomatike në Düsseldorf, Gjermani në një bashkëpunim institucional  me Ministrinë e Kulturës.

Synimi kryesor i këtij programi është që artistëve nga të dy shtetet t’u jepet mundësia të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese, të shkëmbejnë eksperienca, të ekspozojnë veprat e tyre , etj. Programi parashikon edhe shkëmbimin me një artist të artit pamor nga Düsseldorf në Tiranë në muajt në vazhdim.

Eros Dibra do të realizojë krijimtarinë e tij në këtë rezidencë dhe gjatë kohës së rezidencës, përveç vendosjes së kontakteve profesionale, artisti do të hapë një ekspozitë të përbashkët me artistë të tjerë, e parashikuar të hapet në datën 10 mars 2016.

Në moton “Nëntori Shqiptar” në Düsseldorf, më 27 nëntor 2015, për herë të parë në mjediset e Parlamentit të Landit të NRW-së, kultura shqiptare prezantoi ekspozitën e pikturës dhe vizatimit, dëshmi historie dhe dëshmi e artit bashkëkohor shqiptar, ekspozitë e kuruar nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.

“Nëntori shqiptar” u realizua me nismën e Konsulles së Nderit Anduena Stephan dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës së Kosovës, Parlamentit të Landit të NRW .

{:}