Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4473]

Dita kombëtare mbetet ngjarja kryesore e shteteve pjesëmarrëse në EXPO Milano 2015. Shqipëria zgjodhi 19 tetorin, ditën e lumturimit të Nënë Terezës. Një ditë e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë përmes kulturës, historisë, traditës, gastronomisë dhe resurseve turistike që ofron vendi. Ceremonia zyrtare e ditës kombëtare të Shqipërisë u zhvillua në skenën e hapur të EXPO-s. Në ceremoninë e organizuar merrte pjesë delegacioni shqiptar i nivelit të lartë i kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, etj. Ditën kombëtare të Shqipërisë e përshëndeti komisari i përgjithshëm i EXPO Milano 2015, kalabrezi Bruno Antonio Pasquino, i cili u shpreh mes të tjerash se “Italia po ndjek dhe po mbështet zhvillimin e Shqipërisë, një vend gjeografik, me klimë të përshtatshme, që e lejon të kultivojë prodhime mesdhetare , që nga peshku, ulliri e deri tek vreshtat”. Ministrja Kumbaro dhe Ministri Ahmetaj vizituan disa pavijone të EXPO Milano-s dhe zhvilluan një takim pune me komisaren e përgjithshme të pavijonit të italisë, znj. Diana Bracco, e cila u shpreh se “Keni vend të mrekullueshëm, me diell, kulturë, traditë, ngjyra”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se bashkëpunimet kulturore me Italinë kanë vite që po ndodhin. Kemi shkëmbyer zëra vokalë, instrumentistë, artistë vizualë, balerinë, këtej dhe andej, shqiptarët ka vite që nderojnë me talentin e tyre teatrin La Scala. Ata janë ambasadorët tanë më të mirë. Besoj fort në komunikimet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë njerëzor, sikundër edhe në bashkëpunimet e zhvillimit ekonomik, etj”.

Dita kombëtare gjalloi me muzikë, kërcime dhe ngjyra kostumesh shqiptare, të cilat u prezantuan vullnetarisht nga studentët shqiptarë që studiojnë në Itali. Koncerti u realizua me muzikën polifonike, interpretuar nga zërat drithërues të Albanian Iso Polyphonic Choir&Robert Bisha, artisti improvizues në piano dhe poli instrumentisti që elektrizoi të pranishmit, këngëtarja e mirënjohur Vikena Kamenica&Keli Band, që sollën ngjyrat e muzikës folk dhe jazz, Genci Kastrati dhe valltarët e AKKVP, fëmijët e mrekullueshëm të Qendrës së Fëmijëve të Korçës, që mahnitën vizitorët me energjinë e kërcimit. Shpirti shqiptar, tradita, kultura, ishin ngjyrat e ditës kombëtare të Shqipërisë, që u pasurua akoma më shumë me pjesëmarrjen e shqiptarëve që jetojnë në Itali, të bashkëatdhetarëve që na bëjnë krenarë , sepse kanë investuar në ndryshimin e imazhit të Shqipërisë. Aktivitetet vazhduan deri në orët e mbrëmjes me panairin e gastronomisë dhe koncertin “Trëndafile e Arbëri” e grupit folklorik arbëresh Cluster Bio/ Med.{:}