Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Gjirokastra, prej disa muajsh, ka filluar të gjallërohet për të mirëpritur rapsodë, interpretues e bartës të folklorit nga Shqipëria, të cilët do të konkurrojnë në një garë mes 12 qarqesh. Në skenën e madhe të festivalit do të marrin pjesë edhe shoqata dhe grupe folklorike të ftuar nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Arbëreshët e Italisë, Turqia, Greqia, Zvicra  dhe SHBA. Ndërsa përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës po shkojnë drejt përfundimit,  Ministria e Kulturës në bashkëpunim me DRKK-Gjirokastër kanë nisur ndërhyrjet restauruese në skenë dhe në kalanë e Gjirokastrës.
Organizatorët e Festivalit të Gjirokastrës 2015 kanë ideuar një spektakël gjithëpërfshirës, ku qyteti dhe festivalistë, qytetarë, turistë e të ftuar do të jetojnë për 24 orë  një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash, OPEN STAGE me muzikë alternative dhe punëtori të kërcimit të valles shqiptare. Kanë konfirmuar prezencën e tyre në skenën e Festivalit të Gjirokastrës 2015 artistët e mirënjohur Eda Zari, Olen Çezari, Rona Nishliu, grupi Fanfara Tirana, etj, të cilët do të performojnë në orët e natës për të gjithë dashamirësit e muzikës së tyre. Ndërkohë priten edhe grupe evropianë të ftuar të muzikës folk.
Kanë përfunduar koncertet  selektuese  në të 12 qarqet e vendit, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Si element I rëndësishëm I ruatjes së traditës së folklorit shqiptar do të jetë pjesëmarrja e të rinjve në përfaqësimet e grupeve, si në traditën e kërcimit, ashtu edhe  të instrumenteve popullorë, ndërsa pritet me shumë interes bartësi më i vjetër i festivalit, lahutari 105 vjeçar ,Gjok Nonaj. Ai do të jetë bartësi më i vjetër që këndon në një skenë festivali deri më sot, jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë e më gjerë.
Pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira, sipas kritereve shkencore janë përcaktuar përfundimisht grupet e përfaqësimit.
Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përfundimin me sukses të përgatitjeve.
FFK Gjirokastër 2015 do të shërbejë për mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike trashëguarnë shekuj; tërheqjen e brezit të ri në veprimtaritë e trashëgimisë jomateriale duke realizuar kalimin e këtyre vlerave nga brezi në brez; pasqyrimin më të gjerë të të gjitha gjinive të folklorit dhe vlerave të tij; rëndësinë që do t’i kushtohet evidentimit të krijimeve folklorike, me karakter improvizues, lodra me karakter imitativ, pantonimik e humoristik, krijimet që lidhen me festat tradicionale popullore dhe ato me karakter ritual; si dhe evidentimin e krijimeve më të lashta duke ruajtur pastërtinë burimore. Festivali i Gjirokastrës 2015 do të zhvillohet  në datat 10-16 maj në Gjirokastër.

GJIROKASTËR, 10-16 MAJ 2015{:}