Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=5653]

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në lidhje me përgatitjet e fundit të FFKGJ 2015:

Në cilësinë e Ministres por edhe të Kryetares së Komitetit Organizativ të Festivalit Folklorik Kombëtar , kam kënaqësinë të ndaj me ju  informacionet më të fundit lidhur me punën e kryer dhe përgatitjet për Festën e  Madhe.

Siç e kemi deklaruar tashmë Festivali do të mbahet në Gjirokastër nga data 10 maj deri më 16 maj.

Dua të theksoj që në fillim që nuk bëhet fjalë thjesht për një spektakël që do të zgjasë 7 ditë, por për një kështjellë të Trashëgimisë Jomateriale të cilës Ministria e Kulturës  i kushton një rëndësi shumë të madhe jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri  shpirtërore e popullit dhe kombit por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë. Kemi një thesar të jashtëzakonshëm në larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore , pa folur për kostumet që janë vërtet të rralla për nga densiteti dhe historia.

Të gjitha këto nuk perceptohen çdo ditë sepse janë të shpërndara në të gjitha lëndinat e fshatrave, qyteteve, në sënduqe e shtëpira.

Është pikërisht ky Festival, që bëhet një herë në pesë vjet, monumenti më i madh i Trashëgimisë Jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj si ruajmë e mbrojmë kalatë dhe parqet arkeologjike!

Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monument kulture dhe si i tillë duhet të mbrohet nga shteti dhe nga e gjithë shoqëria.

Për më tepër është i vetmi monument kulture ku marrin pjesë e përfaqsohen, në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Bash për këtë, puna ka filluar që në korrik 2014, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës por koordinatori kryesor është Qendra  Kombëtare e Veprimtarive  Folklorike, tashmë e ristrukturuar që ka bërë një punë të shkëlqyer dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministri , kanë ngritur grupin e punës dhe për muaj të tërë kanë organizuar një maratonë të trashëgimisë jomateriale në 12 qarqe, me kontakte, takime, vëzhgime dhe koncerte të Komunave dhe Bashkive ku morën pjesë rreth 7230 bartës të folklorit ndër të cilët rreth 1600 fëmijë e të rinj, të cilët kaluan në përzgjedhjen e fazës së parë të komisioneve të ngritura pranë qarqeve. Kjo ishte faza e parë Janar – shkurt 2015

Në një fazë të dytë 11 shkurt – 25 mars 2015. Komisioni Përzgjedhës i Festivalit i përbërë nga Qendra e Veprimtarive Folklorike, Ministria e Kulturës, studjuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si dhe nga Grupi i realizimit artistik, me në krye Drejtorin artistik të Festivalit, Profesor Thoma Gaqi dhe regjisorin Bledar  Laço, ndoqën nga afër dhe në terren të 12 koncertet folklorike në rang qarku që u zhvilluan në të gjithë Shqipërinë,

Në këtë fazë morën pjesë  1756 bartës të folklorit, nga të cilët rreth 530 fëmijë e të rinj – këta të fundit do të jenë dhe disa nga zbulimet e mëdha të këtij Festivali – si dhe rreth 400 gra e vajza.

Dua të falenderoj këtu pushtetin lokal, kryetarët e të 12 qarqeve, kryetarët e bashkive e të komunave , por edhe gjithë shoqatat kulturore e grupet e pavarura që me shumë pasion e përgjegjësi  u bënë pjesë e kësaj maratonë. Pa pjesëmarrjen e tyre kjo punë do të kishte qenë e pamundur.

Brenda  kornizës së përfaqsimit të qarqeve janë përfshirë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore jomateriale të pakicave që pasurojnë diversitetin tonë kulturor me prurjet e tyre origjinale dhe që do të jenë pjesë e mozaikut të Festivalit.

Natyrisht gjithë kjo punë disa mujore është kryer brenda disa rregullave të përzgjedhjes siç janë koha, kriteret artistike, muzikore, risitë, etj por për këtë ju flasin më mirë pjesëtarët e grupit realizues që janë këtu sot: Profesor Thoma Gaqi, regjisorin Bledi  Laço dhe drejtoreshën  e  QKVF, Meri Kumbe.

Objekt i veçantë i vëzhgimit, këshillimit dhe përzgjedhjes kanë qenë dhe kostumet, për çka Ministria edhe ka shpërndarë kontribute ne të 12 qarqet për të mbështetur rigjenerimin e tyre, ka ndërtuar një projekt pilot për rigjallërimin e traditës së artizantit të kostumografisë, ashtu sikurse dhe nga vetë pushtetit lokal ka patur angazhime për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze.

Plotësimi me kostumet dhe instrumentat përkatëse të çdo bartësi vazhdon edhe këto ditë deri në datë 10 maj.

Pjesë të konkursit do të jenë edhe grupet foklorike shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi të cilët vijnë në këtë edicion në një numër 3 herë më të madh se sa Festivalet e kaluara.

Do të kemi nga të gjitha këto grupe më shumë se 1400 konkurrues në të gjitha gjinitë.

Por nuk mbaron me kaq. Festivalin do e përshëndesin grupe të ftuara nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA, Zvcirës, Turqisë me rreth 100 artistë.

Skena e Festivlait  do të jetë më e madhe se sa thjesht arena e Kalasë.

Gjithë qyteti do të jetë një skenë e madhe natyrale ku 24 orë do të ndodhin ngjarje kulturore e që do të organizohen nga Ministria e Kulturës në bashkëpunum me Bashkinë, Qarkun dhe Prefekturën si dhe me Drejtorinë tonë rajonale te Kulturës

Ekspozita dhe atelie;

Art në rrugë dhe Projeksione filmash;

Spektakle të hapura me Cirkun, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Banda e ushtrisë, DJ, Performanca antropologjike

5 panaire do të organizohen duke krijuar Panairin e madh shqiptar ArgjiroFest_ON (Artizanat, libra, kulinari, bujqësi, turizëm)

Një skenë e dytë do të shoqërojë të parën, në Sheshin Fantazia, do të ngrihet një tjetër skenë e cliruar nga rregullat konkurruese të Festivalit dhe ku grupet fesitvaliste dhe të ftuarit do të performojnë për publikun në orë të ndryshme, ose pas koncertit në kala.

Mysafirët specialë do të jenë një tjetër zbulim i këtij festivali:

Eda Zari band

Grupi folk nga Janina

Kompleksi Palava nga Çekia

Banda Fanfara Tirana

Trupa e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

Ansambli Shota i Kosoves

Olen Çezari Band

Rona Nishliu dhe grupi i saj

Këngëtarë të muzikës popullorë nga më të njohurit të ftuar në  mbrëmjen e fundit gala që do të mbyllë dhe shoqërojë fituesit e Festivalit.

Shumë nga ministrite e tjera janë përfshirë me aspektet e tyre kulturore si Turizmi, Bujqësia, Arsimi, Mbrojtja, Rinia e Ceshtjet Sociale, madje edhe Ministria e Brendshme.

Partneri kryesore mediatik do të jetë Televizioni Publik shqiptar

I cili do të sigurojë gjithasthu transmetimin e drejtëpërdrejtë të të gjithë FEstivalit në Pavjonin Shqiptar në Expo-Milano 2015 duke e bere pjese të EXPO-s

Gazetarë te huaj e gazetarë shqiptarë kanë shfaqur tashmë interesimin dhe kane fillluar të akreditohen. Ndërkohë duke filluar nga sot do të kemi faqen e dedikuar në internet, faqen e personalizuar të Festivalit, spotin zyrtar, programin dhe  logon e stilizuar mbi tablonë e mirënjohur të Abdurrahim Buzës “Shqipëria vallëzon”.

 

Ju ftojmë të gjithë të merrni pjesë nën sloganin ArgjiroFest_ON{:}